Nga FATOS ÇOÇOLI
“Shqipëria ka qenë e fshehur nën hundën tonë gjatë gjithë kësaj kohe”, shkruan Tristan Rutherford, gazetari që bashkëpunon me revista e media prestigjioze ndërkombëtare për udhëtimet, ushqimin dhe yahtet luksoze. Vëzhgimin e ka bërë në vitin 2018, kur erdhi në Shqipëri pasi dëgjoi ish ambasadorin tonë në Londër, Qirjako Qirko, që kishte mbledhur disa biznesmenë dhe u fliste për mundësitë e investimit në Shqipëri.
“Një vijë bregdetare dredha-dredha, e mbushur me plazhe me rërë të bardhë, me gjire të mbrojtura – dhe asnjë superjaht në horizont”, shkruan gazetari për të treguar varfërinë e turizmit elitar në vendin tonë. “Duke qenë se kjo është Shqipëria, shumë gjëra janë të pagërmuara, dhe të mbytura nën hardhitë, sheshe lojrash arkeologjike të denja për Indiana Jones. Unë hedh një guralec në një pus ende funksional që ka një litar të djegur në gura nga dymijë vjeçarë që janë ende në përdorim. I etur për të vizituar bregdetin e Butrintit, të spërkatur nga dielli, marr me qira një motoskaf.
Çmimi prej 140 eurosh duket i lartë për këto anë derisa kuptoj se kam shtuar një 0. Eshtë vetëm 14 euro, gjysma e çmimit të një kokteili në Hotel de Paris në Monako, për të marrë me qira, si kapitenin, ashtu edhe varkën. Shqipëria është qartë një komb aq i lirë, sa është i paeksploruar”. Tristan Rutherford shkroi gjatë për vendin, për natyrën, peizazhin, sitet arkeologjike, plazhet e virgjra, rërën e bardhë, e në horizotin e ujrave të thella blu të Jonit, asnjë YAHT.
Pas vitit 2015, qeveria ftoi shumë gazetarë të huaj ndërkombëtarë në Shqipëri për të shkruar për vendin, për të hapur sytë për këtë pjesë të pazbuluar të botës, ku mund të pushohej, mirë, lirë dhe virgjër. Pretendohej boom-i turistik në një vend që nuk kishte akoma infrastrukturë rrugore, sepse për transport publik vështirë të flitet sot e kësaj dite.
Vit pas viti, mediat ndërkombëtare kthyen sytë drejt këtij vendi të vogël. Me shkrime, raportime, reportazhe, vëzhgime, intervista, konstatime të virgjërisë së vendit të paeksploruar. E çfarë ndodhi? Kurioziteti u rrit, dhe investitorët filluan të interesohen e të kthejnë sytë në brigjet përballë Korfuzit. Aty ku dukej më së miri Sazani dhe bregdeti shqiptar.
I pari që provoi të vinte në Shqipëri për të investuar, edhe përpara kësaj deklarate të gazetarit të yahteve të shtrenjta, ishte kanadezi me origjinë hungareze Peter Munk, që u nda nga jeta në 2018 në moshën 90 vjeçare. Ai erdhi në Shqipëri në 2006, me idenë për tu paraqitur autoriteteve interesin e tij për të ndërtuar një marine të madhe në portin e Durrësit. Brenda saj, edhe një port për jahte luksoze. Një investim që për kohën ishte sa suprizues, aq edhe i pakuptueshëm sesi njeriu më i madh që kishte një perandori të fuqishme financiare e ekonomike në pasuri të patundshme, industrinë e naftës, farmaceutike e deri tek tregu i aksioneve, të donte të investonte në Shqipëri.
Nuk arriti të gjente gjuhën e bashkëpunimit me zyrtarët e kohës, ndaj “ia mbathi me të katra” nga Shqipëria. Por jo nga rajoni. Ndaloi direkt në Malin e Zi, në Tivat, ky zyrtarët fqinjë e pritën krahë hapur e ndërtoi marinën moderne me emrin “Porto Montenegro”, një motorr i fuqishëm ekonomik në vendin fqinjë.
Marina që ndërtoi përfshinte infrastrukturë për jahte luksoze, vila, hotele, resorte, club-e të shtrenjta e superluksoze, ku turistët e pasur nga e gjithë bota vinin e linin aty gjithë paratë e tyre. Marina në Malin e Zi filloi të ndërtohej në 2007, pasi qeveria e Malit të Zi i ofroi miliarderit një bazë të vjetër të ushtrisë jugosllave, të cilën ai e transformoi në një perlë në rajonin e bukur të Mesdheut.
Kryeministri i Malit të Zi, Gjukanoviç e priti me nderime dhe e shoqëroi me helikopter të shikonte nga lart ish-Institutin e Remontit Teknik Detar “Sava Kovaçeviç”, i njohur gjerësisht nga malazezët si “Arsenali”. Peter Munk u ndje i respektuar, mori zemër dhe investoi, së bashku me një grup partnerësh të huaj.
Porto Montenegro sot, ose ish “Arsenali”, pranë qytetit të Tivat-it në Mal të Zi, përfaqëson një nga marinat më luksoze në Adriatik. Kompleksi përmban një marinë me 450 shtretër-vende për jahte nga 12 deri në 250 metra të gjatë, rezidenca, ambiente biznesi, si dhe hotelin me 5 yje “Regent Porto Montenegro”. Porto Montenegro vijon të zgjerohet edhe sot e kësaj dite.
Ai përbën një histori suksesi të ekonomisë së Malit të Zi, pse u bë promotorri i rritjes eksponenciale turistike të këtij vendi në vitet 2007-2019, duke kontribuar me të paktën 5 miliardë euro në ekonominë e vendit dhe duke e shndërruar turizmin në shtetin fqinj në industrinë numër një, duke e kaluar me dhjetë herë industrinë e aluminit, që mbizotëronte në ekonominë malazeze në vitet 1990-2000.
Historia e Peter Munk në Durrës dhe e Porto Montenegro-s në Mal të Zi është një kujtesë se zhvillimi ekonomik shpesh varet nga aftësia e drejtuesve për të njohur dhe për të mbështetur mundësitë në kohën e duhur. Ajo nuk duhet parë thjesht si një histori e një investimi të humbur, por si një mësim I vyer për sot. Marina e Porto Montenegro vazhdon e zgjerohet edhe sot e kësaj dite, 18 vite pas fillimit të punimeve, ndërkohë që fuqia punëtore, nuk përfshin vetëm malazezët. Ka shumë shqiptarë që shkojnë atje punojnë sipas kërkesave specifike.
IKJA PA KTHIM E CLUB MED
Julien Renaud Perret, ishte vetëm 38 vjeç kur erdhi në Tiranë në detyrën e zv.presidentit të Club Med për ti treguar kryeministrit të kohës Sali Berisha, në vitin 2006, projektin e Club Med në Kakome. Përpjekjet për të investuar në zonë kishin nisur në qeverinë paraardhëse të Fatos Nanos që në 2003, e ku Club Med e Riviera kishin krijuar shoqërinë e përbashkët për të zhvilluar zonën e Kakomesë. Do të investoheshin gjithsej 38 milionë euro dhe në projekt ishin përfshirë disa banka. Por asnjë nga zyrtarët e kompanisë së huaj private, nuk mund të kishin imagjinuar skenat e fshatarëve të zonës, me sfurqe, lopata, gurë e buldozerë, që morën e hodhën në det çdo lloj fillimi pune e investimi në atë zonë të bukur të bregdetit shqiptar.
Arkitekti spanjoll Patric Genard kishte ide të qarta. Mbërriti bashkë me investitorët për të treguar projektin, që integronte aq mirë pjesën lokale të fshatit, me zhvillimin në zonën e bregdetit. Club Med kishte ardhur njëherë në fillim të vitit 1993, por nuk kishin gjetur as partnerët e duhur dhe as situatën për të kërkuar të investonin në Shqipëri. Kur erdhën për herë të dytë një dekadë më vonë, menduan se gjithçka do të ishte më e lehtë. Por jo. Problemet me pronësinë e tokës, me fshatarë që nxorrën “fermanët” e sulltanit që në vitin 1291, duket se ia bënë të pamundur investimin.
Club Med, me pronar mazhoritar grupin miliarder Fosun Tourism, përfaqëson një prej markave më të njohura botërore në turizmin e organizuar të nivelit më të lartë dhe në resortet turistike luksoze. Club Med, ka ndërtuar 90 fshatra turistike luksoze kudo në botë dhe aktualisht operon në SHBA, Meksikë, Karaibe, Amerikën e Jugut, Evropë, Azi dhe në Australi. Sipas projektit të vitit 2004, firma përfaqësuese e Club Med në Shqipëri “Club Mediteranee’ & Riviera sh.p.k” do të ngrinte fshatin turistik në Kakome, i konsideruar si një nga zhvillimet më të rëndësishme për infrastrukturën e turizmit të asaj kohe në vendin tonë.
Zv/Presidenti i Club Med i asaj kohe, Eduardo Silviero, kishte marrë edhe lejen ne 2006 nga kreu i qeverisë shqiptare të asaj kohe, Sali Berisha, në një takim kokë më kokë, të zhvilluar në selinë e kryeministrisë në Tiranë. Rreth 70 ha tokë në zonën e Kakomesë iu dha firmës “Club Mediteranee’ & Riviera sh.p.k.”, ndërkohë që sipërfaqja e ndërtimit do të ishte 32,3 ha. Club Med provoi fort në vitet 2010-2012 të niste ndërtimin, por banorët e fshatit Nivicë që pretendonin një pjesë të sipërfaqes prej 70 ha nuk e lejuan. Përballë kombinimit të konflikteve pronësore, pasigurisë juridike, kundërshtimeve publike dhe vështirësive administrative, pas tetë vite përpjekjesh, Club Med largohet nga Shqipëria.
Kompani të tjera investuese që e shihnin me interes Shqipërinë, pas dështimit të gjigandit Club Med, u dekurajuan edhe ato. Skenat e fshatarëve që përplaseshin me policinë dhe me rojat private të kompanisë, u bënë lajm i parë jo vetëm në median shqiptare, por edhe në ato ndërkombëtare, më së shumti Greqia, përballë, ku investimi në Kakome, në përmasa të tilla dhe aq modern, do të krijonte probleme për ishullin grek të Korfuzit.
Duke mos pasur asnjë zgjidhje të qëndrueshme, duke parë refuzimin e banorëve që nuk ishin kompensuar për pronat e tyre, zyrtarët e Club Med dolën me deklaratë publike ku deklaronin tërheqjen nga projekti. Iku një shanc i artë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
ZVËRNECI, DHE PROJEKTI I TRETË
Sot që ky artikull po shkruhet janë plot 187 milionë euro që janë derdhur në llogaritë bankare të kompanisë investuese në Shqipëri për të blerë tokën private të Zvërnecit nga pronarët realë të tyre. Një ndër miliarderët më në zë të Katarit, Moutaz Al Khayyat, bashkëpronar i “UrbanCon Trading and Contracting”, kompania e 42-ta në botë në ndërtim, në fillim të majit depozitoi në llogaritë shqiptare shumën e 187 milionë eurove. Fondi i vënë në dispozicion, u dha për të blerë 150 hektarët ku pretendohet të ndërtohet kompleksi turistik në Zvërnec.
Me një veprim të çuditshëm, SPAK bllokoi paratë në llogarinë e dy vëllezërve Khayyat, por kjo zgjati veç 24 orë, pasi, prokurorët kuptuan gabimin, që nuk mund tia bllokonin lekët atij që po investonte, por duhet të hetonin se kush ishin përfituesit fundorë të këtij fondi.
Fondi që është liruar tanimë, pret përfituesit reale të tij, që duhet të dalin me vendim gjyqi të formës së prerë, pas të drejtave “çorap” të pronësisë në rreth 20 përqind të zonës së Zvërnecit – Lagunë e Nartës, ose 150 hektarëve ku do të shtrihet investimi.
Invesimi që është propozuar të zhvillohet në zonën e Zvërnecit ka marrë vëmendjen për shifrën marramendëse prej 4 miliardë eurosh, ndaj konsiderohet si një nga projektet më ambicioze turistike dhe infrastrukturore në historinë e Shqipërisë. Ky është një investim shumë i madh në raport me madhësinë e ekonomisë shqiptare.
Për krahasim, kjo shumë përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit (rreth 14%), i cili sot kap shifrën e 27 miliardë eurove. Projekti mund të krijojë efekte të shumanshme në ekonomi. Një nga përfitimet më të prekshme pritet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Gjatë fazës së ndërtimit do të angazhohen mijëra punonjës në sektorë të ndryshëm, ndërsa pas përfundimit të projektit do të nevojiten punonjës për hoteleri, turizëm, transport, mirëmbajtje, siguri dhe shërbime të tjera. Kjo mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin e Vlorës dhe zonave përreth, duke rritur të ardhurat familjare dhe aktivitetin ekonomik lokal. Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve gjatë viteve të fundit, por ende ka hapësira për zhvillimin e turizmit me vlerë të lartë të shtuar.
Investime të kësaj natyre e pozicionojnë Shqipërinë në tregun e turizmit luksoz ndërkombëtar, duke tërhequr vizitorë me fuqi të lartë shpenzuese dhe duke rritur të ardhurat për ekonominë kombëtare.
PSE IA VLEN KY INVESTIM?
Përfshirja e investitorëve të njohur ndërkombëtarisht, si kompania ndërtuese UrbanCon Trading and Contracting, e investuesit miliarder Moutaz Al Khayyat, me interesimin e Jared Kushner, ka sjellë vëmendje të madhe mediatike globale, si dhe xhelozinë e Greqise fqinje, e cila prodhoi dhe lajm të rremë për gjoja kalimin e investimit të Kushner në ishullin grek Mykonos. Këta janë investues që tërheqin fort investues të tjerë të huaj, si dhe ndihmojnë në përmirësimin e perceptimit të vendit si destinacion investimesh strategjike, si dhe në zgjerimin e lidhjeve me tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.
Për të siguruar mbështetje të gjerë publike, është e rëndësishme që procedurat qeveritare për miratimin e projektit në Zvërnec të jenë transparente, si dhe të realizohen vlerësime të plota të ndikimit në mjedis. Po ashtu, është thelbësore që komunitetet lokale të konsultohen. Dhuna mbi protestuesit më 30 maj 2026, edhe pse u ndëshkua rreptë nga qeveria, nuk i bën mirë imazhit të projektit.
Nëse realizohet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, investimi prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit mund të përfaqësojë një nga projektet më transformuese për ekonominë tonë. Por duhet të sigurohemi se do të kemi vërtet një strukturë turistike që do të funksionojë gjatë gjithë vitit, do të krijojë vende pune dhe do të tërheqë vizitorë të rinj. Nuk duhet më të shohim komplekse rezidenciale luksoze, ku pjesa më e madhe e njësive do të shiten si prona private dhe ndikimi turistik do të mbetet minimal. Zverneci është një nga zonat më të veçanta natyrore të Shqipërisë. Laguna e Nartës, pylli bregdetar, ishulli dhe manastiri përbëjnë një pasuri që nuk mund të zëvendësohet. Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim duhet të justifikohet me përfitime të qarta dhe të matshme për turizmin.
Zvërneci duhet të jetë dashuria e mirëfilltë turistike e kombit tonë, vërtet një “mon amour”. Sikurse, për fat të keq, ende nuk është bërë Durrësi, apo Kakomeja. Turizmi nuk matet me metra katrorë të ndërtuar, por me netë qëndrimi, me shpenzimet e turistëve në ekonomi, me punësimin lokal dhe me ndikimin afatgjatë në destinacion. Një hotel me qindra dhoma që operon gjatë sezonit dhe jashtë tij, krijon një efekt shumë më të madh ekonomik, sesa qindra vila private që përdoren vetëm disa javë në vit nga pronarët e tyre.
Përfshirja e investitorëve të njohur si Jared Kushner apo vëllezërit Al Khayyat, i jep projektit të Zvërnecit një profil të lartë ndërkombëtar. Suksesi afatgjatë do të varet nga transparenca, respektimi i ligjit, mbrojtja e mjedisit dhe përfitimet reale për qytetarët shqiptarë.
