Nga LUELA MYFTARI
Është data 24 maj. Stafi i delegacionit të Bashkimit Europian është zhvendosur me ambasadorin Silvio Gonzato pranë Piramidës për të filmuar një spot të ri. Për ata që lëvizin në zonë asgjë nuk ka të vecantë me këtë performancë të re. Në fund fare, shumica e shqiptarëve kanë disi bezdi nga këto organizata, OJF, institucione ndërkombëtare që japin lekë pa fund për vepra akauza të tilla, qoftë edhe si piramida e rinovuar, me kubikë.
Ambasadori është veshur me një xhaketë dopietë në ngjyrë jeshile të hapur dhe pantallonat pas kofshëve si gjithmonë. Ecën në rrugicat e vogla të Piramidës, ndalon në një pemë, sheh një letër të ngjitur aty, dhe thotë: “E keni menduar ndonjëherë sa shumë kujdeset natyra për ne? Na jep ujë, ajër, ushqim. A nuk mendoni se ka ardhur koha të kujdesemi për të? Ja çfarë mund të bëni: gjeni kodet QR në katër qytete të Shqipërisë: në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Oh, nuk kam qenë ndonjëherë kaq afër një rrëqebulli!”
Në këtë moment hap xhaketën e mbyllur, dhe fiks si një artist filmash për të përcjellë mesazhin e vet në emër të BE, shpërfaqet aty një bluzë e bardhë me një pelikan në qendër, që bëhet shumë i dukshëm se ambasadori fut duart në xhepat e ngushta të pantallonave dhe thotë:
“Përjeto një eksperiencë fantastike nëpërmjet realitetit të shtuar. Jo vetëm kaq, ato janë një ftesë për ndërgjegjësim dhe veprim, veprim për të mbrojtur mjedisin, për të mbrojtur natyrën shqiptare. Mos harroni, ky është vendi juaj, kjo është natyra juaj, kjo është e ardhmja juaj. Mos lini askënd tua marrë atë prej jush”.
E vendosur në kontekstin e datës 24 maj, kjo video, një thirrje për veprim për të mbrojtur natyrën shqiptare, nuk do të thoshte asgjë. Një ndër qindra videot e qindra projekteve të shpërndara kudo në shoqata e organizata, në media e institucione për natyrën, siç u bë për Vjosën, siç është bërë për Beratin e Gjirokastrën, për Ariun e Murrmë, apo qoftë për rrëqebullin. Ndaj dhe sot e kësaj dite, video e delegacionit nuk i numëron as 2.200 shikime e fare pak komente.
E vendosur në kontekstin e ditës së 13-të të protestës në shesh të mijëra shqiptarëve, kjo video do të thotë shumë, është koha për veprim, për të marrë në dorë “fatet e vendit tuaj” sepse “kjo është e ardhmja juaj”. Dhe në fund vjen paralajmërimi final: “Mos lini askënd tua marrë atë prej jush”.
Artikujt e plotë mund t'i lexoni në numrin e 58-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
