Kryeministri Edi Rama ka akuzuar presidnetin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për grevën e kontrollorëve në aeroprotin e Rinasit. Ai tha se Berisha ka dalë hapur prej ditësh për ta nxitur këtë akt, ndërsa pjesë e kësaj është bërë edhe Meta.
Rama u shpreh se plani i tyre është ta mbajnë të bllokuar aeroportin deri në zgjedhjet e 25 prillit, por shtoi se Berisha dhe Meta kanë gjetur kryministrin e gabuar për ta sfiduar, pasi shumë shpejt situata do të vihen nën kontroll.
“Këtu nuk mund të shmang diçka që ka ndodhur para pak orësh. Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm, është marrë peng aktiviteti i aeroportit “Nënë Tereza” nga një grup i nxitur nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Sali Berisha ka dalë hapur prej ditësh duke nxitur këtë akt, ndërsa Ilir Meta ka hedhur gurin, i cili quhet “leshko” dhe pasi ka fshehur dorën, e ka lënë vetëvetiu të kuptohet se ka qenë ai pas saj. Këta dy janë nxitës të drejtpërdrejtë në vazhdën e përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë tonë por edhe shtetin po qe nevoja. Me këtë rast kanë tentuar të vrasin disa zogj me një gur. Kanë bllokuar edhe vaksinimin, pasi sot do të vinte në Rinas sasia tjetër e vaksinave. Kanë gjetur kryeministrin më të gëabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme, por kanë shfrytëzuar një grusht “kokash të nxehta” aty në aeroport. Unë u bëj thirrje atyre të tjerëve të kthehen në detyrë para se të jetë vonë. Është e paimagjinueshme për të kërkuar që të marrin një pagë në atë sistem që nuk ka lidhje me sistemin e shtetit, që është ulur për shkak të pandemisë që ka goditur më shumë se çdo gjë tjetër sektorin ajror. E kanë aktualisht pagën 2400 e ca dollarë dhe nuk pranojnë të punojnë me këtë pagë. Këtë nuk e zgjidh dot qeveria dhe buxheti i shtetit se nuk ka lidhje me atë aktivitet. Shumë shpejt do e vëmë nën kontroll situatën dhe plani i tyre për ta bllokuar aeroportin mundësisht deri në zgjedhje do të dështojë. U bëj thirrje shqiptarëve që të mos e harrojnë këtë akt, sepse bllokimi i aktivitetit të aeroportit bllokon ardhjen e vaksinave, lëvizjen e lirë të qytetarëve, lëvizjen e ndonjë të sëmuri apo sjelljen e trupit të ndonjërit që ka humbur jetën jashtë. Këta nuk janë socialist, por janë të bindjeve të ndryshme që goditen njësoj nga kjo sjellje ogurzezë”, u shpreh Rama.
