Është regjistruar përplasja e parë e militantëve të Partisë Demokratike me efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë krijuar kordon përpara Kryeministrisë. Flamur Noka dhe deputetët e tjerë kanë qenë të parët që kanë nisur konfrontimin fizik.
Për disa minuta, në efektivët kanë reaguar me gaz lotsjellës dhe kanë arritur të shpërndajnë turmën, ndërsa vazhdimisht pas krahëve të tyre po hidhen molotovë, fishekzjarre dhe shkopinj.
Një nga pemët përpara Kryeministrisë, ka marrë zjarr për shkak se drejt saj janë hedhur lëndë piroteknike, ndërsa siç shihet nga pamjet e drejtpërdrejta që sjell neësbomb.al, ka konfrontime të herëpashershme drejt godinës qeveritare.
Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjerkmarkaj janë në ballë të marshimit dhe po u prijnë demokratëve drejt institucioneve që ndodhen në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Policia e Shtetit ka kaluar sot në gatishmëri të përforcuar dhe kryepolici Ilir Proda mësohet se ka nxjerr në terren më shumë se 1,200 trupa, të cilat janë pozicionuar pranë institucioneve kryesore të bulevardit të Tiranës.
Zyrtarisht, leje për protestën është marrë nga ora 18.00 deri në orën 22.00, por siç kanë deklaruar drejtuesit e opozitës ajo do të zgjasë përtej këtyre orareve dhe nuk përjashtohen aktet e mosbindjes.

