Kompania postare DHL i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendor të Zgjedhjeve (KQZ) pas kërkesës së kësaj të fundit në lidhje me problematikat me votat e Greqisë, si një nga "zonat më problematike". Sipas kompanisë çdo dërgesë ka provë dorëzimi.
DHL thekson se procesi nuk është deleguar dhe se dërgesat janë kryer në përputhje me procedurat standarte, të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim, duke nënvizuar se emigrantët janë njoftuar me sms dhe e-mail nga kompania.
Sipas asaj që thuhet në reagimin e DHL-së, janë vetëm 5 raste në total që janë në ndjekje për verifikim, duke përfshirë edhe Greqinë.
“Nga të gjitha kërkesat për verifikim, janë vetëm 5 raste në total në rë gjitha vendet përfshirë Greqinë, që janë në ndekje për verifikim. Çdo dërgesë e dorëzuar ka provë dorëzimi. 4 779 dërgesa janë marrë nga korrierët në shtëpi në kthim. 18 489 dërgesa janë dorëzuar nga votuesit në pikat e shërbimit DHL dhe 25 90 dërgesa janë dorëzuar në pikat e partnerëve lokalë të DHL.", thuhet në reagimin e DHL.
Shkresa e DHL-së, e cila është protokolluar nga KQZ mban datën 09 maj. Kompania në fjalë thekson se numri i zarfeve të dorëzuara në shtetin e Greqisë është 61 106, ndërsa të tërhequra janë 52 944.
