Situata është tensionuar në protestën e cila po zhvillohet para ambienteve të Kryeministrisë.
Teksa ish-kryeministri, Sali Berisha po mban fjalën e tij online, protestuesit kanë hedhur flakadanë dhe shishe molotovi në drejtim të hyrjes së këtij institucioni.
Në tym e flakë është kthyer sheshi përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa efektivët janë pajisur me maska kundërgaz e fikse zjarri, për të mos lejuar përhapjen e flakëve pas shpinës së tyre.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës si shkaktaren e katastrofës ku ndohet vendi.
“Jemi mbledhur në Tiranë nga të katër anët e vendit, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët. Përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju. Të dashur miq plot dhimbje dhe sakrifica kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të rilindjes së Edi Ramës. Asnjë shqiptar nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në trup nga dekada e Edi Ramës. Këto plagë do të mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Kjo plagë do të jetë për çdo familjar nëse korrupsioni i rilindjes nuk do të kishte vjedhur ilaçet”, tha Berisha.

