Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor i cili është duke vijuar prej mëngjesit të sotëm në qendrat e votimit në Himarë.
Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i PL-së e konsideron të qëllimshëm përjashtimin e mbi 6 mijë qytetarëve të cilëve u kishte skaduar karta e identitetit.
Meta thotë se shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale.
Ndër të tjera Meta u bën thirrje himariotëve që të shfrytëzojnë orët e mbetura dhe të shkojnë drejt qendrave të votimit të shprehin vullnetin e tyre.
“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumentave të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve.
Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale.
Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himariotëve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre”, thotë Meta.

