
Drejtuesit dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë nga selia blu në "Rrugën e Elbasanit" dhe po marshojnë drejt Kryeministrisë. Pas tyre, janë qindra demokratë që i kanë pritur deri në këto momente në hyrje të godinës së PD.
Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjerkmarkaj janë në ballë të marshimit dhe po u prijnë demokratëve drejt institucioneve që ndodhen në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Ndërkohë, një grup i madh mbështetësish të Partisë Demokratike janë mbledhur prej orësh në Sheshin Skënderbej dhe kanë marshuar përgjatë bulevardit, ku janë bërë bashkë me grupimin kryesor që po zbriste nga selia blu.
Grupi i tretë, është mbledhur në vazhdim pas orës 17.00 përpara Kryeministrisë. Kjo ndarje e grupimeve tregon qartë se protesta e sotme është pa skenar dhe pa fjalime politike nga lidershipi i Partisë Demokratike.
Për herë të parë, edhe lideri demokrat Sali Berisha nuk do t'ju flasë militantëve. Ai ndodhet në "arrest në shtëpi" dhe nuk mund të jetë fizikisht në ballë të protestës, por ndryshe nga herët e kaluara, sonte nuk ka një podium dhe ai nuk do të jetë në bulevard as me videokonferencë.
Ndërkohë, edhe kryetari i Partisë së Lirisë ka dalë nga selia me mbështetësit dhe zyrtarët e tjerë të kësaj force politike, duke marshuar drejt Kryeministrisë. Ilir Meta është shprehur se ata nuk do të tërhiqen dhe vazhdimësinë e tubimit do t'ia lënë në dorë qytetarëve.
Partia Demokratike po zhvillon pasditen e sotme aktin e parë të mosbindjes civile, ku siç është njoftuar do të ketë bllokime të rrugëve dhe paralizim të jetës së Tiranës, ndërsa militantët e kësaj force politike janë nisur nga qytete të ndryshme.
Policia e Shtetit ka kaluar sot në gatishmëri të përforcuar dhe kryepolici Ilir Proda mësohet se ka nxjerr në terren më shumë se 1,200 trupa, të cilat janë pozicionuar pranë institucioneve kryesore të bulevardit të Tiranës.
Zyrtarisht, leje për protestën është marrë nga ora 18.00 deri në orën 22.00, por siç kanë deklaruar drejtuesit e opozitës ajo do të zgjasë përtej këtyre orareve dhe nuk përjashtohen aktet e mosbindjes.
© Newsbomb.al
Sondazh