Deputeti i PD, Edi Paloka, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që dënoi me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji.
Sipas Palokës, ky vendim është një sinjal i qartë për të gjithë deputetët demokratë që të qëndrojnë të heshtur, përndryshe do të përballen me burgun.
Paloka i ftuar në News 24, theksoi se vendimi tregon se Shqipëria tashmë ndodhet në një regjim diktatorial dhe bëri thirrje për një reagim popullor ndaj kësaj situate. Ai shprehu bindjen se ky vendim ishte një mesazh i qartë nga kryeministri Edi Rama se “Ju kam në dorë”.
"Është një konfirmim i asaj që unë dhe të tjerë e kemi konfirmuar që nuk jemi duke shkuar në diktaturë, por jemi në diktature. Unë kam pasur dyshime se vendimi është marrë prej kohësh. Më shumë sesa vendimi, sot është dhënë një mesazh. Mesazhi i Ramës është, se unë ju kam në dorë, pavarësisht se Xhafa ka lëvizur gurët; ‘Ju kam në dorë, kontrolloj drejtësinë, mos hapni gojën se do përfundoni në qelitë e burgut’. Ky është mesazh për të gjithë ne”, tha Paloka.



