Margarita Xhepa fluturoi sot drejt parajses! Të thuash vetëm aktore është pak, një ikonë aktrimi dhe një njeri i rrallë, artistja e madhe Margarita Xhepa është modeli i gruas që frymëzoi disa breza.
Figurat e artit dhe politikës kanë shprehur dhimbjen dhe respektin për aktoren e cila ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.
Disa nga reagimet:
“Një yll i pashuar i skenës Shqiptare - kështu do të mbetet Margarita Xhepa në mendjen dhe në zemrat e gjithkujt, që u rrit me artin e saj. Madhështore në skenë, thellësisht njerëzore nga pranë, me buzëqeshjen që i rrezatonte bukurinë e shpirtit.
Me mirënjohje të pafundme dhe respekt të thellë i japim lamtumirën fizike një ikone që s'njohu kurrë moshë dhe ashtu e dhembshur, e fisme dhe e bukur si një margaritë, iu bashkua përgjithmonë luleve të tjera të Parajsës! U prehsh në paqe Margarita Xhepa” – shkruan Mirela Kumbaro.

"Artistja e madhe Margarita Xhepa u nda sot nga jeta, një ditë pas 91 vjetorit të lindjes. Një lajm shumë i hidhur ky për artin shqiptar, për Lushnjen që e kishte bijën e saj të ndritur, për gjithë shqiptarët që sot kujtojnë rolet e saj të mrekullueshme dhe për familjen e saj të dashur. U prehsh në paqe Margarita”, - shkruan Taulant balla.

Një reagim erdhi dhe nga Lulzim Basha i cili krahë një fotografie shkruan:
Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të aktores sonë të madhe, Margarita Xhepa.
Ajo ishte dhe do të mbetet një ikonë e skenës dhe kinematografisë shqiptare, me një karrierë të jashtëzakonshme që la gjurmë të pashlyeshme në çdo rol që interpretoi. Kontributi i saj i pazëvendësueshëm do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje .
Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për këtë humbje të madhe . U prehtë në paqe!


