Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Mjekët bënin pazar me pacientët me kancer, ministrja Koçiu takim urgjent në QSUNT: Kriminale! S'mund të mbani më veshur bluzën e bardhë

Shkruar nga Newsbomb
Mjekët bënin pazar me pacientët me kancer, ministrja Koçiu
Ministrja Albana Koçiu

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka thirrur në një takim urgjent pasditen e kësaj të hëne të gjitha shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Pjesë e këtij takim janë dhe drejtuesit e Shërbimit Onkologjik, të cilët sot u prangosën me urdhër të Prokurorisë.

Shtatë mjekë dhe staf mjekësor i Onkologjikut, një repart ku trajtohen pacientët me sëmundje malinje, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke zhvatur pacientët me kancer dhe kishin nevojë për medikamente për kimioterapinë.

Mbledhja e ministres me drejtuesit e shërbimeve është duke u zhvilluar dhe aktualisht, ndërsa newsbomb.al mëson se Albana Koçiu nuk i ka kursyer kritikat e forta në drejtim të tyre dhe mjekëve që kanë në varësi.

Ajo e ka konsideruar kriminale skemën e ngritur nga mjekët e Shërbimit të Onkologjisë, në bashkëpunim me stafet e tyre dhe drejtuesit e klinikave private, të cilët merrnin ilaçe nga depo e shtetit dhe i shisnin në farmaci private.

Mesazhi i ministres së Shëndetësisë ka qenë i prerë: Askush nga mjekët dhe infermierët që përmenden në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, nuk mund të vazhdojë të mbajë veshur mantelin e bardhë. Këtë deklaratë, siç mëson newsbomb.al, Albana Koçiu ua ka përsëritur disa herë në fytyrë drejtuesve të shërbimeve të QSUNT.

"Të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në gjithë Shqipërinë. Këta persona nuk kanë vend në shërbimin publik", ka deklaruar ndër të tjera Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë.

Edmond Gashi (Mjek prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT), Alketa Ymeri (Pere) (Mjeke prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT), Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për Shërbimin Onkologjik), Emiljano Lela (Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT) dhe Drilona Kishta (Fizikante mjekësore në QSUT) nuk do të jenë me pjesë e shërbimit shtetëror.

Ministrja Albana Koçiu e ka thënë prerë se skema kriminale që ata kishin zgjedhur për të bërë pazar me jetët e njerëzve është e patolerueshme dhe të tillë mjekë nuk mund të kenë më vend në shërbimin publik.

Këta shtetas, duke qenë të punësuar pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në klinika private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre.

Spitali në fjalë i njohur ndryshe dhe si Shërbimi Onkologjik është krijuar me strukturën e një qendre gjithëpërfshirëse të luftës kundër kancerit. Aktualisht ai operon me një ekip multi-disiplinar, i cili merret me diagnostikime, trajtime, analizime, kërkime, raportime, etj, rreth patologjive malinje.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese