Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është bashkuar mijëra qytetarëve të cilët mbrëmjen e kësaj të enjte i janë përgjigjur thirrjes së opozitës për protestën para ambienteve të Kryeministrisë.
I shoqëruar nga mbështetësit e tij, Meta ka shkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku dhe ka takuar qytetarët. I pyetur se për çfarë po proteston opozita sot, Meta tha se është vullneti i popullit për të rrëzuar “narko-shtetin”.
"Kërkojmë shporrjen e narko-shtetit që vjedh edhe lekët e ilaçeve të atyre që vuajnë me tumor, vjedh racionet e jetimëve të Shqipërisë. Kanë shkatërruar fshatin, bujqësinë çdo gjë", tha Meta.
Në vijim të protestës Presidenti Meta pritet të ngjitet në podium ku dhe pritet të mbajë fjalën e tij. Ndërkohë, bulevardit po i bashkohen edhe organizatorët e kësaj proteste, me në krye ish-deputetin Belind Këlliçi.

