Kryeministri Edi Rama ka treguar për herë të parë, punën kolosale sipas tij, të Kadastrës Shqiptare për digjitalizimin e pronave dhe dokumenteve të lidhura me to. Sipas tij, synohet në fund të vitit që po vjen, të mbyllet kapitulli i regjistrimit të 4 milionë kartelave pronësore.
"Përsa i përket çështjes së pronës, përfitoj nga rasti të them që ky vit ka qenë një vit realisht i suksesshëm në raport me objektivat, në të gjitha drejtimet, se ndryshe nuk do kishim hapur gjithë ato kapituj. Ka qenë edhe një vit i suksesshëm në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Më në fund është skanuar përfundimisht 100% dokumentacioni, rreth 54 milionë faqe, është përmbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë, sepse ambicia është që ashtu si vepron e-Albania, qytetarët të marrin me një klik informacionin për pronën.
80% e kartelave të pronësisë është digjitalizuar dhe në 2026 mbyllet përfundimisht procesi me 4 milionë kartela të digjitalizuara", është shprehur kreu i qeverisë shqiptare në konferencën e fundvitit me gazetarët në Kryeministri.
Edi Rama garantoi se në fund të vitit të ardhshëm, qytetarët do të kenë shërbime më të shpejta, më cilësore dhe krejt të digjitalizuara, falë një procesi transformues rrënjësor që sipas tij, ka nisur Kadastra Shqiptare.
"Ndërkohë, do të nisë dhe digjitalizimi i hartave kadastrale, në fillim të 2026. Në fund të 2026, do të kemi një kadastër digjitale dhe do të kemi patjetër shërbime shumë më të shpejta, shumë më cilësore.
Brenda qershorit 2026 do të jetë mbuluar territori me regjistrim fillestar. Një proces i llahtarshëm me 700 mijë komplikacione. Kjo është puna jonë, puna jonë nuk është të ziejnë tenxhere çdo ditë me gjysmë të vërteta", përmbylli kryeministri.

