
Ervin Salianji, pas vendimi të Gjykatës së Apelit këtë të enjte do të vetëdorëzohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Burime për "Vizion Plus" bëjnë me dije se vetë Salianji ka pohuar se do të dorëzohet para bluve. Ndërkohë, avokati i tij, Redi Ramaj, shkurtimisht për mediat ripërsëriti edhe njëherë që vendimi ndaj klientit të tij është politik dhe se beteja e tyre do të vijojë në Gjykatën e Lartë.
I pyetur në lidhje me mandatin e deputetit, Ramaj tha se vendimi është i formës së prerë dhe në këtë rast deputeti humb mandatin.
“E para vendimi është politik dhe ku do të ekzekutohet dhe si do të ekzekutohet. E rëndësishme është se një deputet është dënuar për një vepër penale që nuk ekzkiston, është e fabrikuar dhe sot morën një vendim politik. Mbas këtij vendimi politik, do të mblidhet Këshilli Mandateve, Kushtetuesja e ka të qartë. Vendim i sotëm është i formës së prerë, duhet edhe vendimi i Gjykatës së Lartë. Do të kërkohen të gjitha mjetet ligjore për të zhbërë një vendim të padrejtë”, tha ai.
Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Partia Demokratike ka njoftuar se do të zhvillojë një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar.
Kujtojmë se gjyqi për akuzën e shpifjes mes vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe deputetit Ervin Salianji vijon prej disa vitesh. Shkalla e Parë e dënoi Salianjin me një vit burg për shpifje, vendim i cili u la në fuqi edhe këtë të enjte, 26 shtator, nga Gjykata e Apelit.
Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar.