Belind Këlliçi ka folur lidhur me ngjarjen e ndodhur gjatë orëve të fundit ku demokratët arritën që sipas tyre të zbulojnë një zyrë “sekrete” e cila përdorej nga socialistët për të shantazhuar qytetarët dhe për të shpërndarë para.
Në një deklaratë për mediat, jashtë ambienteve të kësaj zyre, Këlliçi pretendon se kjo është një zyrë patronazhimi e paloguar, ndërkohë që nga ana tjetër deputeti socialist, Erion Braçe ka pohuar se është zyra e tij.
Kandidati i Berishës thotë se përgjatë ditës së sotme, në ambientet e kësaj zyre, e cila ndodhet shumë afër qendrës së votimit te shkolla “Petro Nini”, kanë qenë 6 persona dhe në momentin që mbështetësit demokratë si dhe gazetarja Ambrozia Meta kanë dashur të dinë se cilët janë këta persona të cilët po punonin me harta dhe laptop, ata janë larguar me vrap, gjë e cila ka ngritur dyshimet se kemi të bëjmë me një krim zgjedhor.
“Këtu është rasti më i paprecdentë në botë ku deputeti Braçe thotë që është zyra ime, ndërkohë që ai nuk njeh stafin e tij, nuk njeh ata që ikën me vrap. Kjo zyrë elektorale e padeklaruar, e paloguar dhe është zyra e PS.
Ne gjatë ditës kemi marrë një denoncim se në këta ambiente po kryhej një krim zgjedhor duke blerë vota, duke shtantazhuar votuesit në proces. Kemi ardhur për të bërë konstatimin dhe kanë parë që dera ka qenë e hapur dhe kanë qenë 6 persona që punonin me laptop dhe lista. Menjëherë i kanë kërkuar që të thonë kush janë por këta kanë hequr hartat kanë marrë çantat kanë vendosur kapuç dhe kanë ikur me vrap.
Pak minuta pasi ka ndodhur ngjarja, ka ardhur Brace dhe ka pretenduar se është zyra e tij e punës. Kam ardhur këtu kam gjetur një situatë tejet të tensionuar, dhe një person që njoftohem tani i ishte me precedent kriminal dhe ajo që çfarë ka ndodhur është e paprecedentë. Kemi telefonuar 6 herë Policinë. Ka ardhur policia kam kërkuar të shoh dhe vet vendin e ngjarjes, futem brenda unë i tregoj videot, Erioni thotë është zyra ime ndërkohë që policia e pyet kush janë anëtarët ai thotë nuk i njoh. Nëse këtu nuk ka pasur një krim zgjedhor, kush janë anëtarët që kanë ikur me vrap”, tha Këlliçi.
Theksojmë se brenda ambienteve të kësaj zyre, përpos personave të tjerë, ndodhej edhe Drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, Enkelejda Imeraj.
Sakaq lidhur me këtë ngjarje Policia e Shtetit ka shoqëruar tre persona. Presim më tepër detaje në vijim si dhe një njoftim zyrtar nga blutë.

