Deputetja Marjana Koçeku, e cila disa javë më parë njoftoi largimin nga PS, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara ditën e sotme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në hyrje të godinës së Parlamentit.
Në një postim në Facebook, Koçeku shkruan se i vjen keq që i vetmi mesazh që ky pushtet mund t'u ofrojë protestuesve është dhuna.
Më tej, ajo thekson se asnjë pushtet nuk e ka jetën e gjatë kur godet qytetarët dhe se, kur argumentet mungojnë, argumenti i vetëm që mbetet është shkopi i gomës.
“Nji shtet që zgjedh me iu përgjigjë pakënaqësisë qytetare me dhunë, nuk po demonstron forcë; po demonstron pafuqinë e vet për me bindë”, thekson ajo.
Postimi i plotë i Koçekut:
Kam ndjekë me shqetësim sot dhunën policore të ushtrueme mbi protestuesit. Më vjen keq që i vetmi komunikim dhe mesazh politik që ky pushtet mundet me u ofru protestuesve asht dhuna.
Kur argumentet i mbarojnë nji shteti, mbesin vetëm shkopi i gomës, prangat dhe çizmja e policit. Por asnji pushtet nuk e ka zgjatë jetën e vet tu i goditë qytetarët që kërkojnë me u dëgjue. Merrni datat ma kyçe të historisë dhe do shihni se këtë e kena dëshmue çdo herë.
Nji shtet që zgjedh me iu përgjigjë pakënaqësisë qytetare me dhunë, nuk po demonstron forcë; po demonstron pafuqinë e vet për me bindë.
