Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka “zbarkuar” mëngjesin e kësaj të premte në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në shtëpinë e kryetarit të Bashkisë të Tiranës ku dhe kanë zhvilluar kontrolle.
Mirëpo teksa agjentët e BKH kryejnë kontrolle në shtëpinë e kryebashkiakut, vetë Veliaj nuk ndodhet në banesë dhe as në Tiranë.
Erion Veliaj ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore. Ai ka zhvilluar dje një takim me homologun Peter Tschentscher. Kryebashkiaku po ashtu në Hamburg është takuar edhe me Presidenten e Parlamentit të Hamburgut, Carola Veit.
Takimi në Hamburg për Veliajn do të vazhdojë edhe sot, pasi do të jetë pjesë e tryezës së rrumbullakët të Dhomës së Tregtisë së Hamburgut.
Kujtojmë se në prill të këtij viti Erion Veliaj, u paraqit pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku dhe qëndroi për gati 7 orë.
Asokohe u bë me dije se qytetari i parë i Tiranës u pyet nga hetuesit e SPAK për aferën e Inceneratorit të Tiranës.
Duke i quajtur hetuesit e Prokurorisë së Posaçme si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm.