Rezultati i Partisë Demokratike në këto zgjedhje ka sjellë reagime të forta nga analistët dhe “tërheqje të veshit” për politikanët dhe drejtuesin e kësaj force politike.
Së fundmi ka qenë gazetari Ilir Demalia ai i cili ka akuzuar opozitën si përgjegjësen kryesore për këtë rezultat të zgjedhjeve të 11 Majit.
Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, ai u ndal dhe te fjalori i përdorur nga demokratët përgjatë fushatës, veçanërisht te Tomor Alizoti i cili pak ditë më parë ftoi kryeministrin Edi Rama dhe u shpreh për këtë të fundit se do “ta hante të gjallë”.
“Këto që dalin sot si cuba… Po ku ishit mor zotëri, ju që sot shisni veten si antikomunistë?. Ky që thotë ‘do t’ju hamë të gjallë’… çfarë hëngre në Berat? Katastrofë! Në Elbasan? Edhe më keq! Çfarë do të hash ti të gjallë?! Këto janë fjalë që vetëm të çakërdisin nervat”, tha Demalia.
Kujtojmë se më 3 maj, Tomor Alizoti, sfidoi kryeministrin Edi Rama duke e ftuar në debat politik dhe se do e hante të gjallë.
“Është fshehur edhe vetë duke bërë monolog me veten para pasqyrës se ka frikë të përballet. Ja ku e ka Doktorin, kryetarin e partisë, le të dali në debat. Po deshi le të dalë me mua, se unë kam qejf ta ha të gjallë. Megjithëse ai nuk hahet, atë mund ta hajë ky i Elbasanit, mister bifteku, po t'i hedhë pak kripën e Nustretit që ka ngrënë në Dubai”, tha Alizoti.

