Kryeministri Edi Rama shprehet se Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë mundësi të shumta bashkëpunimi, për ta bërë më të mirë jetën e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Ai mori rastin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, për të cilën tha se do të jetë xhevahiri i kurorës së bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës.
Ai u pyet nga gazetarët se si do të jetë bashkëpunimi në të ardhmen me qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, pasi zgjedhjet e fundit u fituan nga Vetëvendosja.
Edi Rama theksoi se të dy kryeministrat kanë shumë punë të përbashkëta për të bërë dhe janë angazhuar për të vazhduar më tej projektet me Albin Kurtit. Megjithatë, nuk u zgjat më tepër për kreun e Vetëvendosjes, kur herë pas here në media ka pasur raporte për krizë në marrëdhënien e tyre.
"Nuk e di, do flasim, do vendosim. Patjetër mirë do ishte ta kishim një mbledhje mes dy qeverive,. Mos harroni kemi bërë mbledhjen e dy parlamenteve. Nuk e kemi bërë dot këtë vit për shkak të zgjedhjeve. Zgjedhjet mbaruan. Albini u rikonfirmua si kryeministër edhe i kam bërë edhe urimet personalisht.
Patjetër që do vazhdojmë punën, kemi gjëra që mund të bëjmë, sidomos hekurudha Durrës-Prishtinë. Ajo është xhevahiri i kurorës dhe për atë jemi angazhuar të dy. Të dyja palët do të bëjmë çmos që ta çojmë deri në financim, pastaj të fillojmë ndërtimin", u shpreh Edi Rama.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit ia sollën partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore “spektakolare”, të cilën ajo e arriti kryesisht falë “dobësive" të partive opozitare. LVV-ja i fitoi 49.30 për qind të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

