Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Akuzat dhe përplasjet për fletët “pa ngjyrë” në Tiranë, çfarë është fenomeni i njohur si “treni bullgar”?!

Shkruar nga Newsbomb
Akuzat dhe përplasjet për fletët “pa ngjyrë”
Fletet e denoncuara si te manipuluara te KZAZ nr.40 ne Tirane

Qendra e numërimit të votave te shkolla “Sami Frashëri” në Tiranë, KZAZ nr.40, është kthyer në një qendër debati dhe përplasjesh mes përfaqësuesve të partive politike dhe numëruesve, pas konstatimit të disa fletëve “pa ngjyrë” apo me ngjyrë të zbehtë nëpër kuti.

Kanë qenë fillimisht vëzhguesit e Partisë Mundësia, të cilët kanë parë se numëruesit po i shpallnin votat e tyre të pavlefshme dhe menjëherë kanë njoftuar kryetarin Agron Shehaj që të paraqitej te shkolla “Sami Frashëri”.

Nga verifikimi i këtyre fletëve të votimit ka rezultuar se nuk ishin shtatë por tre fletë, të cilat sipas ligjit, u shfaqën në kamerat respective të tavolinave të numërimit dhe më pas u vendosën në zarf për t’iu dërguar KQZ-së.

Më vonë, të njëjtën situatë e ka denoncuar dhe kryetarja e degës 9 të PD në Tiranë, Eda Grimci e cila ka konstatuar një numër të madh fletësh votimi të palosura në mënyrë identike, duke pretenduar se janë bërë nga e njëjta dorë.

Kandidatët e kanë denoncuar këtë fenomen dhe pretendojnë se kemi të bëjmë me manipulim votash.

Ky fenomen njihet botërisht si “treni bullgar” dhe është një mënyrë e sofistikuar e manipulimit të vullnetit të zgjedhësve për të mbushur kutitë me vota për një forcë të caktuar politike, apo dhe një kandidat, raporton newsbomb.al.

Si funksionon “treni bullgar”?

Personat e interesuar për të manipuluar procesin zgjedhor, për shumë arsye, qëndrojnë jashtë qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, me fletë votimi të plotësuara dhe të palosura gati për t’u hedhur në kuti. Qytetarët që pranojnë të shesin votën, në këmbim të parave apo për presion, e marrin këtë fletë votimi fshehurazi dhe i drejtohen qendrës së votimit.

Pasi kalojnë gjithë procedurën e përgatitjes për votim, duke nisur nga identifikimi, shënjimi i gishtit dhe pajisja me fletën e vulosur të votimit.

Qytetari, e merr këtë fletë votimi dhe i drejtohet vendvotimi të fshehtë që përcaktohet sipas ligjit në çdo qendrë votimi, nxjerr fletën e plotësuar dhe të palosur që ka marrë më herët jashtë qendrës së votimit, dhe i drejtohet kutisë.

Ndërkohë, fletën e paplotësuar por të vulosur me vulat zyrtarëve, e merr me vete fshehurazi dhe e dorëzon jashtë qendrës së votimit tek personat e interesuar. Kjo fletë votimi plotësohet në të njëjtën mënyrë, paloset dhe i jepet votuesve të tjerë që pranojnë të shesin votën.

“Treni bullgar” si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorë për herë të parë në Bullgari gjatë zgjedhjeve parlamentare në korrik 2009. Votuesit që ishin të gatshëm të shisnin votën e tyre ishin kryesisht nga komuniteti rom. Numri i njerëzve që shitën votën në këtë mënyrë varioi mes 200,000 deri në 350,000.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese