Kryeministri Edi Rama është ndalur sot te zgjedhja e Avokatit të Popullit, duke komentuar edhe njëherë akuzat dhe polemikat e ngritura nga opozita rreth zgjedhjes së Endrit Shabanit.
Teksa e cilësoi listën e opozitës me emrat e kandidatëve të propozuar si një “cirk”, kreu i qeverisë u shpreh se mazhoranca e cila ka dhe votat për të zgjedhur Avokatin e Popullit respektoi marrëveshjen me Partinë Demokratike dhe zgjodhi një prej kandidaturave që ata vetë kishin propozuar.
Në mesin e të gjithë kandidatëve, mu mes tyre ka qenë edhe avokatja Adriana Kalaja, Rama tha se Shabani ju duk më i “përshtatshmi”.
“Si mundet që imagjinohet që të merret seriozisht një parti në këtë rast PD, ndjesë pastë, që është zyrtarisht opozita hyn në procesin për të zgjedhur Avokatin e Popullit, ne i kemi votat. Po të ishim ata që tenxheret thonë që jemi ne do kishim zgjedhur vetë, vendosnim Muhamed Veliun (me humor) që e kemi tonin, ne thamë që nuk propozojmë asnjë dhe do zgjedhim atë që ka propozuar opozita. Vjen lista me propozim, me firma, lloj-lloj krijesash cirku aty dhe mes gjithë atyre qorrave shohim një me një sy dhe themi po mirë një sy e ka mbaruar shkollën jashtë, ka bërë shumë studime mbase i vjen edhe syri tjetër po të shkëputet nga këta.
Por sidoqoftë në atë lukuni qorrash ky është i vetmi dhe pa pritur merret vesh kjo, merret vesh se shohin Ballën, mos takoni Ballën se po ju panë mund tju thonë s’jeni për tenxheren tonë dhe thonë do tërheqim ne firmat. Por si do tërheqësh firmat? Ku ka bërë vakti kjo? Çfarë është kjo gallatë? Më thoni ju ne ku futemi ne në këtë bojkot? Vijnë vet dhe ikin vet”, tha Rama.
Opozita, përfshirë edhe Sali Berishën, ka akuzuar mazhorancën se po përdor këtë zgjedhje për interesa politike dhe jo për të garantuar pavarësinë e institucionit. Demokratët u tërhoqën nga mbështetja për Shabanin, duke e cilësuar procesin si të manipuluar dhe duke argumentuar se firmat e deputetëve për kandidaturën u hoqën nën presion, çka krijoi paqartësi mbi rolin e opozitës në zgjedhje.
Megjithatë, Rama minimizoi këto akuza, duke i quajtur qesharake dhe duke insistuar se zgjedhja e Avokatit të Popullit u krye sipas rregullave, pavarësisht tensionit politik.

