Pas 12 orë debatesh, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, Kuvendi shtyu për të enjten e ardhshme punimet e seancës së sotme.
Diskutimet u ndalen rreth ores 22:15, ndërsa prej katër orësh shqyrtohej ndryshimi i marrëveshjes së koncensionit me shoqërinë “Tirana Airport Partners”, që synon t’i hapë rrugën ndërtimit të aeroporteve të reja në Shqipëri.
Në marrëveshjen e ndryshuar është përfshirë ndërtimi i mundshëm i një aeroporti në Vlorë dhe vënia në funksionim e aeroportit të Kukësit.
Marrëveshja e re parashikon heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve drejt Shqipërisë dhe nga tjetër zgjatjen e koncensionit me dy vjet, nga momenti që nis punën një aeroport i ri brenda territorit të saj.
Deputetët e opozitës e cilësuan marrëveshjen si të negociuar keq dhe se zgjatja me dy vjet të tjere e koncensionit nuk i ul çmimet e biletave të pasagjerëve, pasi tregu nuk liberalizohet, ndërsa aeroporti tjetër nuk pritet të hapet së afërmi, shkruan Ata.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto tha se brenda viti të ardhshëm do të vihet në funksionim aeroporti i Kukësit.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj theksoi se marrëveshja meriton të vlerësohet, pasi thyen një monopol.
Ndërsa ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi tha se marrëveshja që heq ekskluzivitetin do të rrisë konkurueshmërinë, pasi i lejon qeverisë të marrë përsipër ndërtimin e dy aeroporteve të rinj në Kukës dhe Vlorë. Me këtë nxisim krijimin e një zone aeroportuale, që sjell me vete rritjen e aktivitetit turistik të vendit, u shpreh ministrja e Ekonomise.
Seanca e sotme u shoqerua me debate te ashpra mes paleve për zhvillimet e fundit politike në vend, ku në fokus ishte reforma ne drejtësi.
