Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho shpreh mbështetjen për Alis dhe këngën e tij "Nan" me të cilën ai përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion dhe mbrëmjen e sotme arriti të kualifikohet për në Finalen e Madhe të 16 Majit.
"Alis, kënga jote “Nan” nuk është vetëm një këngë për Shqipërinë, është zëri i çdo fëmije që la shtëpinë duke kërkuar një jetë më të mirë, duke mbajtur përgjithmonë atë boshllëk në zemër. Ajo u flet të gjithëve ne emigrantëve që e dimë se çfarë do të thotë të jetosh larg njerëzve që i duam më shumë.
Dëgjimi i “Nan” më sjell lot në sy sepse më kujton prindërit e mi, babanë dhe nënën time, të cilët i humba ndërsa isha larg shtëpisë. Dhe si shumë të tjerë, e mbaj atë dhimbje çdo ditë, dhimbjen e distancës, të kohës së humbur, të mosmundësisë për t'u kthyer mjaftueshëm", shkruan ajo.
Ermonela Jaho, teksa ndalet te teksti i këngës, thotë se zemra e një nëne pret gjithmonë... me dashuri, me lot, me shpresë, ndaj sipas saj kënga e Alis është një homazh për çdo nënë që kaloi netë duke pritur që fëmijët e saj të ktheheshin në shtëpi.
"Bravo, Alis. Jam krenare që po sjell një mesazh kaq të rëndësishëm në një botë që shpesh harron se çfarë ka vërtet rëndësi, “Nanë” na kujton lidhjen njerëzore, dashurinë pa kushte, sakrificën dhe dashurinë e pastër që vetëm një prind - veçanërisht një nënë - mund ta japë.
Kjo këngë nuk u përket vetëm shqiptarëve, por të gjithë atyre që kanë ndjerë mungesën e shtëpisë, të prindërve të tyre ose të dashurisë përtej kufijve", përmbyll mesazhin e saj sopranoja jonë Ermonela Jaho, duke kërkuar nga shqiptarët të votojnë Alis.

