Padre Guilherme, prift katolik dhe DJ nga Portugalia, është një nga figurat më unike të skenës bashkëkohore, i njohur për mënyrën origjinale se si bashkon muzikën fetare me muzikën elektronike.
Me emrin e vërtetë Guilherme Peixoto, ai është shuguruar prift në vitin 1999 dhe shërben në Dioqezën e Braga-s, ndërsa njëkohësisht ushtron edhe detyrën e kapelanit ushtarak, me përvojë në misione ndërkombëtare.
Paralelisht me shërbesën e tij fetare, Padre Guilherme ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare si DJ, ku në setet e tij techno ndërthur ritmet elektronike me mesazhe paqeje, bashkimi dhe shprese. Ai ka performuar në disa nga skenat dhe eventet më ikonike në botë, përfshirë World Youth Day 2023 në Lisbonë, përpara mbi 1.5 milion njerëzve, si dhe në festivale të njohura si Zamna Festival në Kili.
Ndër momentet më simbolike të karrierës së tij përfshihet performanca në monumente kulturore të njohura globalisht, si Cristo Redentor në Rio de Janeiro, duke e shndërruar muzikën në një mjet dialogu mes kulturës, besimit dhe realitetit modern.
Një fakt i veçantë që e shoqëron figurën e tij është se kufjet që përdor janë bekuar nga Papa Françesku, gjatë një takimi në Vatikan, njw gjest i cili wshtw marrw si njw “aprovim” i Papws pwr muzikwn qw ai bwn.
Megjithëse qasja e tij ka ngjallur edhe debate në qarqe konservatore, Padre Guilherme shihet nga shumë të rinj si simbol i një Kishe më të hapur dhe më pranë botës moderne, ku muzika shërben si urë lidhëse mes njerëzve.
Tani, Padre Guilherme vjen për herë të parë në Tiranë, me një performancë unike që premton një natë ku muzika, energjia dhe komuniteti bashkohen në një përvojë të paharrueshme.
Data: 7 shkurt 2026
Vendndodhja: Parku Olimpik “Feti Borova”, Tiranë
