Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Komuniteti Mysliman i Shqiptarëve uron besimtarët për Ramazanin: Qoftë ky muaji i bekuar burimi i paqes së jetës suaj

Shkruar nga Newsbomb
Komuniteti Mysliman i Shqiptarëve uron besimtarët për Ramazanin:
Kreu i KMSH, Bujar Spahiu

Një ditë përpara nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, kreu i KMSH, Bujar Spahiu ka përcjell një mesazh urimi për të gjithë besimtarët e fesë islame dhe shqiptarët kudo në botë.

Në reagimin e bërë përmes një videoje, Spahiu i uron besimtarëve një muaj të bekuar me paqe dhe begati.

Ndërsa e cilëson këtë muaj si peridhë reflektimi dhe orientimi për tu’u kthyer te vlerat e vërteta themelore të besimit e përgjegjësisë morale.

Duke shtuar më tej se agjërimi është një akt adhurimi që na mëson disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit, Spahiu i uron të gjithë besimtarëve një të bekuar.

Fjala e plotë e kreut të KMSH:

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Përcjell urimet e mia më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe punojnë, duke ju dëshiruar një muaj të bekuar plot paqe, mëshirë dhe begati në familje e në shoqëri!

Të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër myslimanë,

Nesër, ne nisim agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta, duke lutur Zotin e Madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ramazani është një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njerëzimit. Ai është muaj i agjërimit, i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes. Në Librin e Tij të Shenjtë, Allahu thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.” (El-Bekare, 185)

Ky ajet na kujton se Ramazani është kohë reflektimi dhe orientimi, kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.

Agjërimi është një akt adhurimi që na mëson disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë:
“Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe djajtë lidhen.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky hadith është një mesazh shprese dhe optimizmi për çdo besimtar. Ramazani është mundësi për përmirësim individual dhe kolektiv, për pastrim shpirtëror dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha.
Në këtë muaj të shenjtë, rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni social i besimit. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane.

Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, në respekt ndaj tjetrit dhe në përkushtim për të mirën e përbashkët.

Në emërin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë.

Allahu e pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat tuaja të mira!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese