Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Forca brenda nesh dhe "ndryshku" që krijojmë vetë

Shkruar nga Newsbomb
Forca brenda nesh dhe "ndryshku" që krijojmë vetë
Autorja e shkrimit, Dr. Artemida Lenz

“Askush nuk mund ta shkatërrojë hekurin, përveç ndryshkut të tij.” Kjo thënie e fuqishme, e atribuuar Ratan Tatës, filantropit indian, përmbledh një të vërtetë që shkon përtej botës së metaleve. Hekuri, i njohur për qëndrueshmërinë dhe forcën e tij, nuk thyhet lehtë nga presionet e jashtme, përkundrazi, ai dobësohet nga brenda kur nis të formohet ndryshku. Edhe njerëzit janë njësoj. Kërcënimet më të mëdha shpesh nuk vijnë nga jashtë, por nga dyshimet, frika dhe besimet negative që gërryejnë forcën tonë të brendshme.

Në jetë, sfidat janë të pashmangshme. Njerëzit mund të na kritikojnë, rrethanat mund të na vënë në provë dhe dështimet mund të na zhgënjejnë përkohësisht. Megjithatë, asnjë nga këto forca të jashtme nuk mund ta shkatërrojë vërtet potencialin tonë. Ajo që na dobëson më shumë është “ndryshku” që lejojmë të rritet brenda nesh , vetëdyshimi, mungesa e besimit, zakonet e këqija ose bindja se nuk jemi të aftë të ndryshojmë.  Duke pranuar këto mendime si të vërteta, ne kufizojmë vetë aftësinë tonë për të ecur përpara.

Besimi tek vetja vepron si një shtresë mbrojtëse kundër këtij korrozioni të brendshëm. Ashtu si hekuri ka nevojë për kujdes për të mbetur i fortë, edhe mendja dhe shpirti ynë kërkojnë përkushtim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Praktikimi i disiplinës,  dëshira për zhvillim personal dhe të rrethuarit me energji pozitive forcojnë “metalin” brenda nesh. Sfidat gjithashtu kthehen në mundësi, jo në kërcënime.

Kjo thënie na kujton edhe njëherë përgjegjësinë personale. Është e lehtë të fajësojmë të tjerët për vështirësitë tona, por rritja e vërtetë fillon kur kuptojmë se  është mënyra si mendojmë ajo që formëson të ardhmen tonë. Duke marrë përgjegjësi për mendimet dhe veprimet tona, ne fitojmë kontroll mbi drejtimin  që i duam t’i japim jetës tonë.

 Mesazhi  është i thjeshtë por i thellë: presioni i jashtëm nuk mund të thyejë një person që mbron botën e tij të brendshme. Ne jemi shumë më të fortë sesa besojmë, dhe shpesh armiku ynë më i madh është negativiteti që lejojmë brenda vetes. Prandaj, mbrojtja e mendjes sonë është hapi i parë drejt një jete me qëndrueshmëri e qëllim. Mungesa e vetëbesimit është një nga “ndryshqet” më të rrezikshëm që gërryen ngadalë forcën tonë të brendshme.

Shpesh, njeriu nuk dështon sepse nuk është i aftë, por sepse mendon që nuk është i aftë. Një mendim negativ, një frikë e vogël, një kritikë e padëmshme, mund të fillojnë procesin e “korrozionit” të brendshëm. Këto mendime krijojnë një zë të padukshëm që pëshpërit:  nuk  mundesh, nuk ja vlen ta provosh, do dështosh gjithsesi. Me kalimin e kohës, ky zë bëhet aq i fortë, saqë fillon të zëvendësojë zërin tonë të vërtetë.

Mungesa e vetëbesimit nuk na rrëzon menjëherë. Ajo na ndalon të provojmë. Na bind të tërhiqemi përpara se të fillojmë. Na bën të shmangim disa mundësi që mund të ndryshonin jetën tonë. Ashtu si ndryshku që fillon me një njollë të vogël, pasiguria e brendshme mund të shndërrohet në një pengesë të madhe që na kufizon ëndrrat dhe ambiciet.

Por,  ashtu si hekuri mund të pastrohet e të rifitojë shkëlqimin, edhe vetëbesimi mund të ndërtohet. Ai lind nga njohja e vlerave tona, nga përvoja, nga dështimet që na mësojnë si të ringrihemi dhe nga njerëzit që besojnë tek ne edhe kur ne hezitojmë të besojmë në veten tonë. Çdo hap i vogël përpara, çdo sukses sado i vogël, është një shtresë mbrojtëse kundër “ndryshkut” të dyshimit.

Rritja personale nis në momentin kur ne fillojmë të sfidojmë mendimet negative,  pa i pranuar ato si të vërteta absolute, kur mësojmë të flasim me veten me të njëjtin mirëkuptim dhe kurajë që do t’i jepnim një miku në nevojë. Vetëbesimi nuk është arrogancë, është besimi se  ja vlen të provosh, se meriton të rritesh, se mund të përmirësohesh.

Në thelb, mesazhi i thënies është i qartë: bota e jashtme ka pak fuqi mbi ne, nëse ne ruajmë forcën e brendshme. Sfida më e madhe nuk është të mposhtim të tjerët, por të mposhtim dyshimet tona. Kur mbrojmë vetëbesimin tonë, ne kthehemi në “hekur” që nuk thyhet lehtë — të fortë, të qëndrueshëm dhe të aftë të ndërtojmë jetën që duam.

Shkatërrimi që sjell frika nga paragjykimet

Frika nga paragjykimet është një nga forcat më shkatërruese që mund të ndikojë te një njeri. Ajo nuk na rrëzon me një goditje të vetme, na konsumon ngadalë, na ndryshon mënyrën si mendojmë, si ndihemi dhe si jetojmë. Kjo frikë  na bën të dyshojmë në çdo hap, të mos marrim vendime të rëndësishme, të heqim dorë nga ëndrrat tona dhe të bëhemi versioni i heshtur i vetvetes. Njeriu fillon të jetojë jo ashtu siç dëshiron, por ashtu siç mendon se “duhet” për t’u dukur i pranueshëm në sytë e të tjerëve. Me kohën, kjo frikë shndërrohet në një zinxhir të rëndë që e lidh njeriun pas pritshmërive të huaja, duke i mohuar lirinë më të madhe: të jetë vetvetja. Ajo mund të shuajë talentin, të mbyllë kreativitetin, të paralizojë iniciativën dhe madje të lëndojë shëndetin emocional. Njeriu që jeton  me frikën e paragjykimit, humb jo vetëm mundësitë që i shfaqen, por edhe besimin që ka në veten  e tij dhe kur vetëbesimi shuhet, gjithçka tjetër fillon të shembet. Në këtë mënyrë, frika nga paragjykimi bëhet një shkatërrues i heshtur, një “ndryshk” që gërryen identitetin, aspiratat dhe lumturinë e njeriut, derisa ky të bindet se është më e sigurt të mos jetojë fare sesa të rrezikojë të gjykohet.

 Shpesh njerëzit hezitojnë të shprehin veten, të ndjekin pasionet e tyre ose të provojnë diçka të re vetëm sepse kanë frikë nga mendimet e të tjerëve. Paragjykimi ka fuqinë të na bëjë të ndihemi të pavlerë edhe kur jemi plot potencial. Ne fillojmë të jetojmë në pritje të gjykimit të dikujt tjetër, duke harruar se askush nuk e di më mirë se ne vetë se çfarë jemi të aftë të arrijmë. Kjo frikë na mban të mbyllur në një kuti të vogël ku çdo hap i gabuar duket si një humbje dhe çdo mendim i tjetrit duket si një dënim. Por në të vërtetë, paragjykimet e të tjerëve nuk mund të dëmtojnë asgjë brenda nesh. Është frika jonë prej tyre ajo që na step. Vetëm kur mësojmë të ecim përpara pa kërkuar aprovimin e të gjithëve, fillojmë të jetojmë me të vërtetë sipas vlerave dhe ëndrrave tona.

Besimi në vetvete është një nga cilësitë më të rëndësishme që një njeri mund të ketë. Ai do të thotë të besosh në aftësitë, vlerat dhe mundësitë e tua, edhe kur përballesh me vështirësi. Një person që ka besim në vetvete ndihet më i sigurt, merr vendime më të mira dhe nuk dorëzohet lehtë.

Së pari, besimi në vetvete ndihmon njeriun të përballojë sfidat e jetës. Kur besojmë në veten tonë, nuk kemi frikë të provojmë gjëra të reja dhe të mësojmë nga gabimet. Gabimet nuk shihen si dështime, por si mundësi për t’u përmirësuar. Kjo na bën më të fortë dhe më të pjekur.

Së dyti, besimi në vetvete ka ndikim të madh në marrëdhëniet me të tjerët. Një person i sigurt në vetvete shpreh mendimet e tij pa frikë dhe respekton mendimet e të tjerëve. Kjo krijon komunikim më të mirë dhe marrëdhënie më të shëndetshme, si në shkollë,  në punë ashtu edhe në shoqëri.

Së fundi, besimi në vetvete është çelësi i suksesit. Nxënësit që besojnë në aftësitë e tyre kanë më shumë motivim për të mësuar dhe për të arritur qëllimet e tyre. Edhe në të ardhmen, në punë dhe në jetë, besimi në vetvete ndihmon njeriun të ecë përpara me guxim dhe vendosmëri.

Besimi në vetvete është themeli i zhvillimit personal dhe suksesit. Duke besuar në veten tonë, ne ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese