Këtë 7 prill këngëtarja e madhe Vaçe Zela do të mbushte 87 vjeç, por ajo mbylli sytë përgjithmonë në 6 shkurtin e 2014-ës.
Ajo lindi në Lushnjë, në vitin 1939, ku edhe u zbulua rastësisht zëri i saj mrekullueshëm, i cili do ti dhuronte publikut shqiptar këngë nga më të bukurat.
Mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën "Komunistët" (dubluar nga Marina Grabovari).
Ajo është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu, po ashtu ka marrë edhe Urdhërin “Artiste e popullit” dhe “Artiste e Merituar”. Vaçe zela korri plot 12 çmime të para.
Zela ishte fituesja e parë e konkursit muzikor shqiptar Festivali i Këngës me këngën "Fëmija i parë", më 26 dhjetor 1962. Çmimet ndërkombëtare përfshijnë "Diskun e Artë" , "Gruaja e vitit" në Kembrixh, Angli për vitet '97-'98, "Mikrofoni i Artë" nga Ministria e Kulturës së Kosovës , etj. Çmimi i fundit që mori ishte "Çmimi i Madh Special për Legjendën e Këngës", 45-vjetori i Festivalit në RTSH , për kontributin unik të këngëtares në muzikën shqipe dhe pjesëmarrjen që në vitet e para të këtij festivali, gjatë të cilit ajo mori shumë çmime.
Ndër këngët e saj më të njohura janë: “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Valsi i lumturisë”, “Moj e Bukura Shqipëri”, “Gjyshes” etj.
