Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Birçe Hasko mbylli sytë përgjithmonë në moshën 84-vjeçare, njerëz të artit dhe politikës shqiptare i dedikojnë mesazhe emocionuese: Lamtumirë mjeshtër i pavdekshëm! (REAGIMET)

Shkruar nga Newsbomb
Birçe Hasko mbylli sytë përgjithmonë në moshën
Birçe Hasko

Një lajm i trishtë tronditi sot botën e artit e jo vetëm, pasi u mësua vdekja e aktorit të madh të humorit, Birço Hasko në moshën 84-vjeçare.

Një ndodhi që tronditi familjarë, miq dhe të gjithë njerëzit që patën mundësi të shijonin humorin e tij përmes ekraneve të televizionit shqiptar, në filmat e humorit ku dha kontributin e tij ndër vite mjeshtir i madh, Birço Hasko.

Me ikjen e tij, u la pas një plagë e pashërueshme te njerëz të botës së artit, politikës dhe figura mjaft të njohura për shqiptarët, të cilët kanë reaguar zemërthyer për humbjen e një nga mjeshtrave më kryesorë të kinematografisë shqiptare.

Nga aktorë, të afërm, gazetarë e deri te figura të politikës shqiptare, të gjithë kanë shkruar sot mesazhe emocionuese përmes së cilave vlerësojnë maksimalisht figura e Birço Haskos, të cilët kanë shprehur dhe ngushëllime për humbjen e madhe të familjes Hasko. 

Reagimi i gazetarit Marin Mema:

Artist i madh, njeri i madh, që mbeti i tillë në thjeshtësinë e tij. Çdo fjalë i peshonte, çdo bisedë linte gjurmë.

Do të më mungojnë telefonatat dhe bisedat pas emisioneve, këshillat e urta dhe mënyra e tij fisnike e të qenit.

Lamtumirë Birçe Hasko. Shqipëria humbi sot një aktor të rrallë dhe një njeri me shpirt të madh.

Reagimi i regjisorit Mevlan Shanaj:

Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin " popullor" të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi  mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të  karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI

Reagimi i prefektit të Tiranës Shkëlqim Hajdari:

 Lumtumirë Birçe Hasko!

Iku sot dhe një ikonë e artit dhe e kulturës shqiptare.

Aktori brilant, pedagogu model,intelektuali i urtë.

Nga sot, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,do i mungoj një pjesë e rëndësishme e kulturës së saj, do i mungoj një burrë i mirë, i paqshëm, i drejtë,fjalëpak e punëshumë.

Zoti të dhëntë parajsën Birçe Hasko

Reagimi i ministrit të drejtësisë Toni Gogu:

Është ndarë sot nga jeta Birçe Hasko, një nga aktorët që dinte t’u jepte personazheve jo vetëm zë, por edhe mendim.

Në Përrallë nga e Kaluara, nën drejtimin e kolosit Anagnosti në pak sekonda, me një shkop në dorë, shpjegoi atë që libra të tërë juridikë përpiqen ta shpjegojnë prej shekujsh: se ligji nuk është vetëm teksti, por edhe mendja e dora që e zbaton.

“Ja ligji… ja dhe Maliqi.”

Dhe pastaj dallimi mes drejtësisë dhe arbitraritetit:

i njëjti shkop mund të të ledhatojë por edhe të të kopanisë.

“Ky shkop është i drejtë… se ka ca që janë me gunga.”

Humori i hollë i Birçe Haskos mbeti gjithmonë i lidhur me urtësinë popullore që shqiptarët e kuptonin menjëherë.

Sot Birçe na ka lënë disa fjalë të thëna labçe, që përshkruajnë të vërteta të mëdha.

Lamtumirë, Mjeshtër!

Reagimi i gazetarit Aleksandër Çipa:

Ike Profesor Birçe Hasko! Lartësisht e mbajte emrin dhe ndërgjegjen tënde. Si rrallëkush.

Si dukatas dhe labëror pa të dytë.

Kumbues dhe me jehonë të pambarimtë, do të më shoqërojë zëri yt që mishëronte për fjalën, porosinë e Saramagos:

Fjala ka peshë e ka vlerë. Përdore me përgjegjësi atë!

Ndërgjegjia jote si njeri dhe artist, mund ta linte të tillë testamentin moral:

“Unë Birçe Haskua, ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrkush. Unë, “Artisti i Merituar”, “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë”.

Profesor, në gjithçka të jetës tënde, pati të shembëllimtë diçka prej Karaburuni dhe Çike: patundshmërinë nga dallgët dhe rigjetjen në lartësi pas çdo mjegulle.

Nuk kishte metaforë në jetën tënde, por kishte jetë me stoicizëm të natyrshëm në çdo ditë të frymëmarrjes. 

Një burrë, para të cilit të shtynte vetvetiu pohimi: Sa krenar të jesh nga ato vise!

Karakteret e tua në teatër dhe kinematografi mbartin brendinë e pazakontë të së njerëzishmes dhe të potencës njerëzore.

Faleminderit për çka na le!

U prehsh në paqen që meriton!

Të pastë në dritë amëshimi!!!!

Në viset tona do të kumbojë kujtimi i fisëm për Ty që jetove në urtësi dhe modesti kryelartë!

Reagimi i Robert Ndrenikës:

Ngushellime aktorit të madh Birçe Hasko që la gjurmë të paharrueshme në skenën dhe ekranin shqiptar, ndarë nga jeta sot në moshën 84-vjeçare.

Reagimi i ambasadorit Petrit Malaj:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Birçe Hasko, profesorit tim të nderuar, artistit e njeriut të rrallë dhe një prej figurave më të shquara të skenës e filmit shqiptar.

Ishte për mua shumë më tepër se një pedagog. Më mësoi profesionin me dashuri, më qëndroi pranë me zemër dhe më dha besim në rrugën time artistike. Do ta kujtoj gjithmonë me mirënjohje, respekt dhe mall.

Lamtumirë Profesor… kujtimi dhe gjurma juaj do të mbeten të paharrueshme.

Reagimi i aktorit Klod Hoxha:

Sot heshti zëri i një profesori që ngriti në skenë breza të tërë aktorësh. Birce Hasko nuk mësoi vetëm artin e aktrimit, por la dritë në shpirtin e çdo studenti që kaloi pranë tij.Njerëz të tillë nuk ikin kurrë. U prehtë në paqe profesori yne i dashur.

Reagimi i aktorit Ilirian Ali:

Profesor Birçe Hasko  ka ndërruar jetē !

Sot Me dhimbje të tamadhe e ndaj këtë lajmë !

“Është ndarë nga jeta profesori i mjeshtërisë së aktorit, një nga figurat më të rëndësishme të Akademisë së Arteve për më shumë se gjysmë shekulli. Një burrë i rrallë, me virtyte të shkëlqyera njerëzore, pedago i përkushtuar dhe artist me shpirt të madh.

Ndjej një dhimbje të thellë për këtë aktor dhe mjeshtër të mrekullueshëm, i cili la gjurmë të pashlyeshme në artin e mësimdhënies, në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Me talentin, urtësinë dhe përkushtimin e tij, ai gdhendi dhjetëra figura e karaktere që do të mbeten gjatë në kujtesën e brezave.

Ai nuk ishte vetëm profesor, por një udhërrëfyes i artit dhe i jetës për shumë aktorë e studentë që patën fatin ta kenë pranë.

Marr pjesë me dhimbje të sinqertë në hidhërimin e familjarëve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik shqiptar.

Qoftë i Parajsës profesori dhe njeriu i nderuar i artit shqiptar. Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë ndër breza.”

Lamtumirë Profesor ! Lamtumirē Njeriu i mirē !

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese