Hapësire reklamuese

FCB Bomb

Krishtlindje e veçantë në fshatin Hajmel, qindra banorë bëhen bashkë për "Betlehemin e Gjallë", rikrijohet skena e lindjes së Jezu Krishtit (PAMJE)

Shkruar nga Newsbomb
Krishtlindje e veçantë në fshatin Hajmel, qindra banorë
Pamje nga "Betlehemi i Gjalle", vizitoret ne radhe per ta pare

Fshati Hajmel u shndërrua këtë fundjavë në destinacionin më të lakmuar për qindra e qindra qytetarë e besimtarë të cilët ndoqën nga afër një nga realizimet më madhështore të viteve të fundit, “Betlehemin e Gjallë”.

Qindra banorë të zonës, nga fëmijët te të moshuarit, u bashkuan vullnetarisht për të rikrijuar me përkushtim skenat e Lindjes së Krishtit, duke e kthyer oborrin e Kishës në një skenë e cila risolli në mënyrë artistike momentin e Lindjes së Krishtit.

Interesi ishte i jashtëzakonshëm. Radhë të gjata vizitorësh pritën mbi 90 minuta për të hyrë, ndërsa sipas organizatorëve, vetëm në një mbrëmje Hajmeli priti më shumë se 2 mijë vizitorë të cilët ndoqën nga afër këtë shfaqje falas, pa paguar asnjë biletë.

Ajo që e bëri këtë ngjarje të veçantë nuk ishte vetëm skenografia apo organizimi, por përfshirja e të gjithë komunitetit. Çdo rol u interpretua me seriozitet dhe respekt për orë të tëra, pa lodhje dhe pa neglizhence dhe nuk munguan as batutat komike, mikpritja tradicionale dhe gostitja falas me fruta, mjaltë, petulla, djathë, raki dhe verë të ngrohtë.

Pamjet nga kjo shfaqje u postuan nga gazetarja Esiona Konomi e cila së bashku me birin e saj dhe familjarët e ndoqën nga afër dhe na tregoi harmoninë e kësaj krahine e cila u bashkua me një qëllim të përbashkët dhe për këtë meritojnë një duartrokitje të fortë!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese