Efektivët e reparteve zjarrfikëse të Tiranës janë padyshim heronjtë e banorëve të kullës që u shkrumbua nga flakët dje te "5 Maji". Me dhe pa mjete, në detyrë dhe në ditë pushimi, ata sakrifikuan gjithçka që asnjë banor të mos mbetej i bllokuar dhe fatmirësisht sot nuk kemi asnjë humbje jete.
Një ndër shumë zjarrfikësit hero është edhe Marsel Troshku, i cili sapo pa në media se pallati i kompanisë "Arlis" ishte përfshirë nga flakët, menjëherë u lidh me kolegët dhe pasi mësoi më shumë për situatën dramatike, vrapoi drejt vendngjarjes.
Ai ishte në ditën e tij të pushimit dhe po kalonte kohë me familjen, me fëmijët dhe bashkëshorten, kur u nis menjëherë drejt "5 Majit".
Edhe në pamjet që janë bërë virale në rrjet falë shkrepjeve perfekte të fotoreporterit Isa Myzyraj, ku Marsel Troshku shihet vetëm me xhaketë dhe radiomarrëse, teksa ngjit me nxitim autoshkallën për të nxjerrë një grua nga flakët.
Madje, edhe këpucët që mban gjatë detyrës nuk kishte kohë t'i ndërronte sepse çdo minutë dje ishte vendimtare.
