Ky është momenti kur gjyqtari Astrit Kalaja transportohet me barelë nga Gjykata e Apelit drejt ambulancës pasi u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi.
Gjyqtari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë përpara se mjekët ta dërgonin në spital. Kalaja u qëllua me tre plumba gjatë një seance gjyqësore për një pronë të madhe në Shkodër ditën e sotme, nga Elvis Shkambi.
Nga sulmi me armë zjarri kanë mbetur të plagosur edhe dy shtetas të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj. Autori ishte në proces gjyqësor me dy të plagosurit.
Siç mësohet, autori Elvis Shkambi ka qenë brenda në sallën e gjyqit, me seancën që ka nisur në orën 14:00. Gjyqtari Astrit Kalaja është njohur me faktet, me pretendimet e palëve dhe në fund ka vendosur në favor të të plagosurve.
Pas përfundimit të seancës, i ndjeri Kalaja ka dalë në korridor. Aty është pritur nga autori Shkambi që e ka qëlluar me armë të tipit pistoletë. Pas përfundimit të aktit kriminal, ai ia ka dhënë armën rojës së sigurisë së gjykatës.
Pas kësaj, autori ka dalë jashtë ambienteve të Gjykatës, ku ka shkuar pranë një patrulle të policisë duke i treguar gjithçka ka ndodhur. Kësisoj ai është dorëzuar duke treguar ngjarjen e rëndë që ka tronditur sot gjithë Tiranën.
Momenti kur Astrit Kalaja transportohet drejt ambulancës

