Hapësire reklamuese

Aktualitet

VIDEO/ I mbështjellë me flamurin kuqezi, trupi i Fatos Nanos vendoset në hollin e Pallatit të Kongreseve, Xhoana Nano dhe familjarët qëndrojnë pranë arkëmortit

Shkruar nga Newsbomb

VIDEO/ I mbështjellë me flamurin kuqezi, trupi i Fatos Nanos vendoset

Arkëmorti me trupin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku po zhvillohen homazhet publike dhe ceremonia shtetërore në nderim të tij.

Trupi i liderit historik të së majtës shqiptare është vendosur në hollin kryesor të Pallatit, ku janë krijuar kushtet për qytetarët që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit. Pas arkëmortit qëndrojnë bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, familjarët më të afërt dhe të afërm të tij.

Homazhet publike kanë nisur në orën 08:30 dhe do të zgjasin deri në orën 11:00, kohë gjatë së cilës pritet pjesëmarrje e gjerë nga qytetarë të ardhur edhe nga rrethet, përfshirë mbështetës të Partisë Socialiste dhe figura të jetës publike.

Pas përfundimit të homazheve publike, në orën 11:15 do të zhvillohet ceremonia shtetërore e nderimit, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit, trupi diplomatik dhe drejtues të institucioneve.

Në fund të ceremonisë, sipas axhendës zyrtare, do të mbajnë fjalime përshëndetëse Kryeministri Edi Rama, pasues i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit, Xhoana Nano.

Në orën 12:05 do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës, ndërsa në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje në orën 12:00, në shenjë respekti për jetën dhe kontributin e tij në politikën shqiptare.

Në përfundim të ceremonisë shtetërore, Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit në një ceremoni private familjare.

Këshilli i Ministrave ka shpallur 2 nëntorin ditë zie kombëtare, ndërsa flamujt në të gjitha institucionet publike janë ulur në gjysmë shtize. Radiotelevizioni Publik Shqiptar po transmeton muzikë funebre gjatë gjithë ceremonisë shtetërore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese