Shkodra u trondit mesditën e sotme nga një ngjarje e rëndë ku 34-vjeçari Kolë Manaj plagosi me armë zjarri bashkëjetuesen e tij, 44-vjeçaren Anila Prendushi Ndoka dhe më pas vrau veten. E gjitha kjo skenë ka ndodhur në automjetin e dy personave që qëndronte i parkuar pranë banesës ku ata jetonin së bashku prej 5 vitesh.
Ende nuk janë bërë me dije rrethanat që kanë çuar 34-vjeçarin të marrë këtë veprim ekstrem, por nga çfarë shihet në postimet në rrjetin social TikTok në profilin e viktimës, dyshja duken të kenë patur një raport të mirë së bashku, referuar postimeve të shpeshta krah njëri-tjetrit si dhe dedikimeve me poezi e këngë dashurie.
Postimin e fundit krah partneres së tij, Kolë Manaj e ka postuar në vitin 2023, ndërsa vetëm përpara 3 ditësh ka hedhur një video me një këngë dashurie.
Anila Prendushi Ndoka momentalisht ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën pas plumbit të marrë në kokë. Sipas burimeve për media, profesioni i saj është punonjëse sociale ndërsa momentalisht është e punësuar në një qendër komunitare në Bashkinë e Shkodrës.
Përsa i përket viktimës, sipas familjarëve të Anilës, ai ishte një i papunë dhe mendohet se problemet e shumta ekonomike të kenë sjellë debate të shpeshta si dhe mund të jenë bërë shkak dhe për këtë tragjedi.
Anila Prendushi Noka është nënë e 3 fëmijëve nga një martesë e mëparshme ndërsa prej 5 vitesh bashkëjetonte me Kolë Manaj në lagjen “Mark Lula”, aty dhe ku ndodhi krimi.


