Pas disa orësh në komisariat, Dritan Goxhaj dhe dy protestues të tjerë janë lënë të lirë. Ata janë pritur në ambientet e jashtme të komisariatit numër 1 nga disa qytetarë.Ende nuk ka informacion për protestuesit e tjerë të shoqëruar.
Kujtojmë se ditën e sotme gjatë protestës u shoqëruan 5 qytetarë, Shkëlzen Bushi, Dritan Goxhaj, Mandi Jatagani, Erjon Taipi dhe Asim Prengzi. Menjëherë sapo këta protestues u shoqëruan, turma u organizua dhe u drejtua para Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke u bërë thirrje publike edhe avokatëve që mund të marrin përsipër mbrojtjen që të shkonin atje.
Deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, janë paraqitur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për të marrë informacion mbi vendndodhjen dhe gjendjen e protestuesve të shoqëruar.
Duke u mbështetur në të drejtën që legjislacioni shqiptar u njeh deputetëve për të hyrë në ambientet e Policisë dhe për të takuar personat e shoqëruar, Shehaj dhe Kapri kërkuan informacion zyrtar mbi komisariatet ku janë dërguar protestuesit.
Por pasi kanë marrë kontakt me personat përgjegjës, ata kanë dalë nga institucioni dhe kanë bërë me dije se asnjë protestues nuk ndodhej në ato ambiente, por janë shpërndarë në tre komisariate të ndryshme të Tiranës.
