Sipërfaqe shumë të mëdha toke shtetërore e tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve dhe e shitur tek investitorët në vijën bregdetare Lalëz-Durrës, por edhe në Shijak, Shetaj, Bizë dhe Kepin e Rodonit, është sekuestruar nga SPAK.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe totale prej 687,798 metra katrorë, e cila në regjistrat zyrtarë ka qenë “Rruge”, “Pyll” dhe “Pa frut” dhe përmes zëvendësimit të fletëve të regjistrimit në arshivë, është shndërruar në Arë dhe është tjetërsuar.
MODUS OPERANDI
Sipas akuzës “modus operandi” i grupit përfshinte; falsifikimin pjesor të AMTP-ve duke shtuar një osë më shumë parcela bujqësore në dokument, veprim që ndiqej me futjen dorazi në ish-Z.V.Rr.P.P të dokumenteve tërësisht të falsifikuar, si shkresë percjellëse e falsifikuar e bërë sikur eshte prodhuar nga Komisioni i Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës, kur kryetar ka qenë Genci Alizoti, “i inicuar”, nga akti i verifikimit të së njejtës periudhe, i falsifikuar.
1. Janë siguruar çertifikata për vërtetim pronësie, disa prej të cilave të vulosura dhe të nënshkruara me vulë origjinale, disa vetëm me vulë origjinale dhe disa të tjera me vulë dhe nënshkrim të falsifikuar. Janë prodhuar harta treguese të regjistrimit tërësisht të falsifikuara si pjesë integrale e Çertifikatave për Vërtetim Pronësie. Në vijim është prodhuar një referencë tërësisht e falsifikuar, te cilave u kanë vendosur numra fiktivë, shpesh herë të dubluar me numra të referencave të rregullta. Në këto referenca pasqyrohen dokumente sikur është urdhëruar rivlerësim i pasurisë, dokument që në të gjitha rastet ka rezultuar i falsifikuar si në vulën e njomë ashtu edhe në nënshkrim të regjistruesit dhe i janë bashkëngjitur kopje të çertifikatave të pasurisë dhe kopje e hartave treguese të regjistrimit. Kjo gjë është bërë për të justifikuar veprimet që pasojnë dhe që finalizohet me shitjen e pasurisë duke regjistruar një referencë të re, brenda të cilës janë dokumentet e falsifikuar të përmendur më sipër dhe i vetmi dokument origjinal është kontrata e shitjes se pasurisë. Janë bërë ndërhyrje në fletët e volumit të zonave kadastrale duke zhdukur fletët origjinale ku kanë qenë të regjistruara pasuri të llojit “Rruge”, “Pyll” dhe “Pa frut”, dhe zëvendësuar ato me fletë të reja në të cilat janë pasqyruar pasuri të llojit “Arë”, me siperfaqe që variojnë nga 10.000 m2 deri në 34.000 m2, të cilat ndodhen në zonën bregdetare të fshatit Lalëz, Bizë dhe Shetaj të Rethit Durrës.
2. Një mënyrë tjetër që personat nën hetim kanë përdorur për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme është falsifikimi i regjistrave të viteve 1929-1951, të cilët administrohen në arkivën e ish- Z.V.Rr.P.P-ve, si dhe dokumenteve mbështetës që administrohen në arkivën e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës. Mekanizimi i përdorur në këtë rast eshtë sigurimi i regjistrave të titulluar, “Radhorë për Transkriptimet” të viteve 1929-1957 nga një person me akses në arkivat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës i identifikuarvetëm me emrin Mozi, duke e korruptuar atë dhe punonjës të arkivës së ish-Z.V.Rr.P.P-ve. Në vijim kanë kryer fshirjen pjesërisht ose tërresisht të shkrimeve që ndodheshin në fletët e fundit të regjistrit ose në fletë brenda tij të konsideruara të përshtatshme për falsifikim dhe në vazhdim kanë kryer rishkrimin e një transkriptimi të ri, duke i kaluar pronat në emrin personave të besuar të tyre, të cilët do të ishin “trashëgimtarët” e pasurisë së falsifikuar. Në fazën tjetër, dokumentet e falsifikuar i përdornin për të aplikuar pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohje, kompensim, kthim fizik ose ngrinin padi civile në gjykatë për njohje pronësie dhe detyrimi i ish- Z.V.Rr.P.P ose ASHK-se për regjistrim të pronës.
Në fund skema e ngritur finalizohej me tjetërsimin e pronës duke e shitur te investitorë të interesuar për investim në zonat bregdetare të Rrethit Durrës.
Hetimi i këtij procedimi penal ka provuar se përmes këtij mekanizmi kriminal të pandehurit Aleksandër Laho, Vullnet Muça, Agron Bejdolli dhe Vlash Brahja, duke paraqitur fakte të rreme dhe fshehur fakte të vërteta në dokumentet e regjistrimit dhe më tej dhe të tjetërsimit të pasurive të paluajtshme, kanë bërë të mundur që të përfitojnë drejtpërdrejt sipërfaqe të mëdha toke me pronar shtet.
Falë kësaj skeme kriminale, shteti është zhveshur në mënyrë të paligjshme nga pronësia e të paktën 687,798 (gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë) metra katrorë sipërfaqe toke, që gjendet në një zonë begdetare të preferuar.
Të pandehurit kanë arritur që një pjesë të këtyre pronave të përfituara në mënyrë të paligjshme t’i tjetërsojnë duke i shitur tek persona të tretë. Hetimi ka provuar se vepra penale e mashtrimit është kryer më shumë se një herë dhe ndaj të pandehurit duhet të përgjigjen penalisht sipas nenit 143 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

