Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i rëndë në autostradën Durrës-Tiranë, ku një autobus i linjës Tiranë-Berat, ka dalë nga rruga dhe më pas është përmbysur.
Mësohet se si pasojë e këtij aksidenti të rëndë, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 14 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
U raportua se viktimë e këtij aksidenti, ka mbetur edhe shoferi i autobusit. Dyshohet se ai ka pësuar një përgjumje ose një infarkt në momentin e përplasjes.
Ndërsa po ashtu bëhet me dije se 7 nga 14 të plagosurit, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ku katër prej tyre i janë nënshtruar operacionit. Ndërsa në gjendje të rëndë ndodhet edhe një fëmijë.
Ndërsa më herët, drejtori i policisë Rrugore, Perlat Vatoci bëri me dije se autobusi nuk është përplasur me asnjë mjet tjetër. Sipas tij, drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me trafikndarësen.
"Sot, rreth orës 15:00, ka ndodhur një aksident i rëndë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga në vendin ku ndodhemi. Për arsye ende të paqarta, paraprakisht rezulton se nuk ka pasur kontakt me një mjet tjetër dhe drejtuesi ka humbur kontrollin e autobusit. Mjeti është përplasur me trafikndarësen dhe, si pasojë, konfirmohen dy viktima dhe 15 persona të plagosur, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje të stabilizuar", tha Vatoci.


