Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka dhënë disa detaje nga vendngjarja gjatë një komunikimi me mediat në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi këtë të martë në autostradën Durrës–Tiranë, pranë QTU-së.
Vatoci bëri me dije se autobusi nuk është përplasur me asnjë mjet tjetër. Sipas tij, drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me trafikndarësen.
Më tej, drejtori i Policisë Rrugore konfirmoi se dy persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa një prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
"Sot, rreth orës 15:00, ka ndodhur një aksident i rëndë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga në vendin ku ndodhemi. Për arsye ende të paqarta, paraprakisht rezulton se nuk ka pasur kontakt me një mjet tjetër dhe drejtuesi ka humbur kontrollin e autobusit. Mjeti është përplasur me trafikndarësen dhe, si pasojë, konfirmohen dy viktima dhe 15 persona të plagosur, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje të stabilizuar", tha Vatoci.
Më tej, Vatoci konfirmoi se personi që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore është një fëmijë.
"Po, mes të plagosurve ka një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë", theksoi ai.
Ndërsa Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, informoi se katër prej të lënduarve po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa një fëmijë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.


