Muçi Shaljani, 47-vjeçari i cili mbeti i plagosur në atentatin ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, 14 vite më parë ishte protagonist i sherrit me deputetin Saimir Tahiri.
Agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i cili sot po lufton me jetën për shkak të plagëve që i shkakoi breshëria e plumbave pranë Rinasit, u konfliktua në 2011 me Saimir Tahirin gjatë një proteste paqësore të Forumit Rinor të opozitës.
Asokohet, Muçi Shaljani së bashku me të vëllain deklaruan se nuk e njihnin Saimir Tahirin që ishte deputet, por u nervozuan nga shkatërrimi i mallit në biznesin e tyre dhe ofenduan deputetin.
"Të them të drejtën, isha në shtëpi gjatë kohës që po zhvilloheshin protestat nga të rinjtë e FRESH-it. Më mori vëllai në telefon dhe më tha se dy persona po i bien mallit me shkelma, u nevrikosa dhe u nisa drejt dyqanit dhe aty mu afrua një çun me syze. Mu prezantua dhe më tha jam deputet.
As që e njihja se çfarë ishte ai. Nuk merrem me politikë, kam punët e mia dhe biznesin tim. Ata mund të jenë deputetë e ministra por nuk kanë të drejtë t'më dëmtojnë biznesin. Nuk mund të luajnë me djersën tonë."-deklaronte asokohe Muçi.
Më tej, ai është shprehur në 2011 se nuk është militant i ndonjë partie, por kanë dyqanet e tyre dhe punon me të vëllain. Sakaq, ai thoshte se nuk do ta ofendonte Tahirin nëse do ta njihte.
"Unë e pranoj që kam bërë gabim pasi nuk duhet të isha përgjigjur ashtu."-deklaronte Muçi në një intervistë për mediat.

