
Mediat prestigjoze ndërkombëtare i kanë bërë jehonë vdekjes së Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
"Reuters" ka bërë një përshkrim të shkurtër të profilit të Kryepeshkopit, që nga roli i tij në ringritjen e Kishës Autoqefale pas rënies së regjimit komunist e deri të angazhimi i tij për dialogun ndërfetar. Në shkrimin e saj, "Reuters" thekson ndër të tjera se gjatë udhëheqjes së tij, Kryepeshkopi ndihmoi të varfërit dhe të dëbuarit.
“Ai u zgjodh të udhëhiqte Kishën në vitin 1992 pas rënies së regjimit komunist që kishte ndaluar fenë për dekada. Gjatë udhëheqjes së tij, ai u angazhua si mbështetës i zëshëm i dialogut ndërfetar dhe ndihmoi të varfrit dhe të dëbuarit,” shkruan Reuters.
Gjithashtu, agjencia e lajmeve ka dhënë edhe detaje për trajtimin e gjendjes së tij shëndetësore. Nga shtrimi në spital në Tiranë të transferimi i tij në Athinë dhe deri në ndarjen nga jeta, ditën e djeshme.
"Pas datës 3 janar, Kryepeshkopi u dërgua nga Tirana në Athinë për mjekim të specializuar. Gjendja e tij u përkeqësua një ditë më parë dhe vetëm mëngjesin e kësaj të shtune Kryepeshkopi mbylli sytë përgjithmonë."
Mediat e njohur franceze, "France 24", e ka përshkruajtur Kryepeshkopin si një figurë karizmatike dhe diplomatike. Na artikull theksohet roli i tij i rëndësishëm për të ndërtuar ura mes feve të ndryshme, pasi ringjalli Kishën Ortodoksa në një vend me shumicë myslimane.
Sfidat shëndetësore të Kryepeshkopit ishin gjithashtu në fakus të artikullit, duke kujtuar përballjen e tij me COVID-19, kur ai qëndroi 12 ditë në spital e deri te gjendja e tij shëndetësore gjatë ditëve të fundit.
“Anastasios, i lindur në Pire, ishte një figurë karizmatike dhe diplomatike, i njohur për qëndrimin e tij të butë dhe aftësinë për të ndërtuar ura mes feve të ndryshme. Ai ringjalli Kishën Ortodokse në një vend me shumicë myslimane dhe udhëhoqi me përkushtim për dekada", shkruan France 24.
Mediat botërore kanë sjellë në vëmendje rolin e rëndësishëm të Kryespeshkopit. Sipas tyre, ai ka lënë pas trashëgimi shpirtërore dhe diplomatike, i cili ka sjellë harmoni mes feve të ndryshme në rajon.