Momente tensioni janë regjistruar në protestën që po zhvillohet këtë të shtunë para Kuvendit, ku protagonist u bë aktivisti Dritan Goxhaj, i cili ishte ulur në trotuar pranë hyrjes së Parlamentit.
Efektivët e Policisë i kanë kërkuar Goxhajt të largohet nga vendi ku ishte ulur, duke argumentuar se bëhej fjalë për një qëndrim të parregullt.
Megjithatë, aktivisti ka kundërshtuar urdhrin e policisë. Më pas, efektivët kanë ndërhyrë dhe e kanë larguar me forcë Goxhajn, si edhe qytetarin tjetër që ndodhej i ulur pranë tij.
Nga ana tjetër, protestuesit e kanë cilësuar ndërhyrjen e policisë si një provokim ndaj tyre.
Debati:
Efektivi: Duhet të lëvizni nga këtu.
Goxhaj: Pse duhet të lëviz nga trotuari?
Efektivi: Ju lutem, lëvizni nga këtu. Është qëndrim i parregullt.
Goxhaj: Është trotuar dhe nuk po ju kundërshtoj.
Pas këtij debati, efektivët e Policisë ndërhynë, e ngritën me forcë Goxhajn dhe e larguan nga vendi ku ishte ulur.
View this post on Instagram
