Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e kësaj të hëne në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, ku një qytetar i identifikuar si Lorenc Kosta, 45-vjeç mbeti i plagosur.
Sakaq, mësohet se Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të kësaj ngjarje, i cili rezulton të jetë shtetasi Erjon Goxhara, efektiv policie.
Lidhur me këtë ngjarje ka ardhur dhe një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit të cilët bëjnë me dije se rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotulimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, efektivi i Policisë, Erjon Goxhara, plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin.
“Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.

