Dy kolosët e letërsisë shqipe, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, nuk janë më mes nesh. Me ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë verën e 2024 dhe me vdekjen e Rexhep Qoses këtë të enjte, mbyllet një epokë e tërë e mendimit dhe debatit intelektual shqiptar.
Shqiptaria sot ndihet më e varfër, jo vetëm për humbjen e dy emrave të mëdhenj të letrave, por për mbylljen e një dialogu të gjatë e të pazakontë që për dekada e mbajti gjallë debatin mbi identitetin, kulturën dhe orientimin e shqiptarëve.
Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja mbeten dy figura që ndonëse shpesh në polemika të forta, formësuan një nga debatet më të zëshme intelektuale në historinë moderne shqiptare. Përplasjet e tyre nuk ishin personale, por një ballafaqim idesh mbi historinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar, mbi identitetin fetar dhe kulturor.
Pa çka se në dukje ata dukeshin sikur ishin kundërshtarët e njëri-tjetrit, këtë të enjte prilli, kur lajmi i kobshëm për ndarjen nga jeta të Qoses u përhap me shpejtësi si në Kosovë po ashtu dhe në Shqipëri, ka qenë profesori Arsim Sinani i cili ka sheshuar njëherë e mirë këto aludime për dy “kokat” e letërsisë shqiptare.
Madje ai rrëfeu dhe takimin që bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena Kadare pati me Qosen në shtëpinë e këtij të fundit.
Profesori tregoi se gjithçka ndodhi në Prishtinë ku dhe akademiku i hapi dyert e shtëpisë bashkëshortes të së madhit Kadare, njeriut me të cilin Qose ka pasur ato “fërkimet” e veta, por ashtu sikurse dhe Sinani e thotë kanë qenë veçse debate në një klimë ku shpesh mungojnë të tillat.
Sipas tij gjatë takimit u kujtuan marrëdhëniet e gjata, debatet, polemikat dhe rrugët e përbashkëta të dy njerëzve më të rëndësishëm në jetën kulturore shqiptare.
“Kishte ardhur Helena Kadare në Prishtinë në një aktivitet që ishte mbajtur në Prishtinë dhe më ftoi për të pirë një kafe në datën 1 tetor, dhe po i tregoj, biseduam mes të tjerash, ra fjala për Qosen dhe i tregova që vajzën nuk e ka në gjendje të mirë shëndetësore. “Dua të shkoj ta takoj”, tha, “bëji një telefon”.
E thirra në telefon djalin e tij Valietin, i cili ka jetuar, ai është trashëgimtari i profesorit pasi gjatë gjithë jetës ka jetuar me të. I thashë: “Valiet, Helena Kadare do ta takojë Qosen”. Qose nuk ka bërë takime rutinë, i ka planifikuar me kohë. Valieti thotë: “Nisu se profesorin e solla në shtëpi”. Ishte një takim shumë dashamirës, kanë kujtuar kujtime, kontakte gjatë gjithë jetës që kanë pasur dhe ndodhi dhe çështja e atij sqarimi të madh”, tha Sinani, duke theksuar më tej se debati i cili në opinionin publik mori përmasa të mëdha ka qenë inegzistent, artificial, të krijuara nga ata që nuk i kanë dashur.
“Besomëni, e them për kujtesë, asnjë shqetësim, problem nuk ka pasur mes të dyve, kanë qenë mendime antishqiptare dhe me vizitën e bashkëshortes së Kadaresë ai episod ka qenë i mbyllur”, theksoi ai, ndërkohë që shtoi më tej se Qose vijoi të ishte stoik i mendimeve të veta.
Madje ai bëri me dije se deri në momentin e fundit që dha frymë nuk u step, as u frikësua, dhe i qëndroi besnik vetes së tij.
“Profesori prej muajsh nuk shkonte në Akademinë e Shkencave në Kosovë”, tha ai.
Debati mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses mbetet një nga përplasjet më të rëndësishme intelektuale në kulturën shqiptare të pas viteve ’90, një diskutim i gjatë që u zhvillua përmes eseve, artikujve dhe reagimeve publike, duke prekur thelbin e identitetit shqiptar.
Në qendër të këtij debati qëndronte pyetja mbi orientimin historik dhe kulturor të shqiptarëve. Ismail Kadare mbronte idenë se shqiptarët i përkisnin natyrshëm qytetërimit europian dhe se e ardhmja e tyre duhej të lidhej ngushtë me Perëndimin.
Nga ana tjetër, Rexhep Qosja kundërshtonte këtë qasje si të njëanshme. Ai argumentonte se identiteti shqiptar ishte shumë më kompleks dhe nuk mund të reduktohej vetëm në një përkatësi të vetme kulturore apo fetare. Sipas tij, shqiptarët kishin jetuar për shekuj në një hapësirë ku Lindja dhe Perëndimi ishin ndërthurur, dhe kjo përvojë historike duhej pranuar si pjesë e pandashme e identitetit kombëtar.
Megjithatë, me kalimin e viteve, kjo përplasje u lexua gjithnjë e më shumë si një dialog i madh mbi identitetin shqiptar, sesa si një konflikt personal. Edhe vetë Qose vetëm disa muaj më parë, pikërisht në datën që Ismail Kadare kishte lindur e kujtoi përmes rreshtave.
Duke theksuar se veprat e Kadaresë kishin kapërcyer kohën dhe kufijtë gjuhësorë, Qosja u ndal asokohe edhe te raporti personal dhe intelektual mes tyre, duke kujtuar miqësinë, bisedat e gjata, por dhe ato vlerësime dhe hatërmbetje që kanë pasur mes njëri-tjetrit.
“Ismail Kadare dhe unë jemi njohur dhe jemi afruar qysh në vitet shtatëdhjetë. Kemi qenë miq, bashkëbisedues, lexues dhe kritikë të njëri-tjetrit. Kemi shkruar për veprën e njëri-tjetrit dhe kemi ndarë vlerësime të ndërsjella.
Ne, të dy, secili në anën e vet të kufirit që na ndante, u përballëm me fate të ndryshme, të rënda dhe shpeshherë të padrejta. Rrethanat historike, politike dhe shoqërore, të cilat nuk i zgjodhëm ne, por që na u imponuan, na vunë përballë provave morale dhe intelektuale që kërkonin jo vetëm qëndresë, por edhe vendime të vështira personale”, shkruante Qose ndër rreshtave në postimin e bërë më 28 Janar të këtij viti, ndërkohë që më tej kishte shprehur dëshirën edhe për dolli të fundit me të.


