Gazetari Osman Stafa, i ftuar në emisionin "Now" me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për hipokrizi kur flet për "besën" ndaj qytetarëve sipas tij, kjo është njësoj sikur një hajdut të flasë për ndershmërinë.
Stafa përmendi një dokument zyrtar të QSUT-së që tregon nevojën urgjente të spitalit më të madh të vendit për pajisje jetësore (respiratorë, laringoskopë, defibrilatorë, pajisje brakiterapie), me një kosto rreth 3.4 milionë euro.
Sipas tij, kjo shumë relativisht e vogël nuk është siguruar, ndërkohë që qeveria ka gjetur mundësi të shpenzojë 4 miliardë lekë për organizimin e një koncerti.
Stafa tha se në reanimacionin qendror ka vetëm 30 shtretër për gjithë popullsinë e Shqipërisë, çka do të thotë që pacientë të rinj mund të pranohen vetëm pasi të vdesë dikush tjetër ose vetë pacienti në pritje rrezikon të mos marrë shërbim në kohë.
"Të flasë kryeministri Rama për besën është sikur të flasë një hajdut për ndershmërinë. Pra, a ka sens t'i japësh besën? Çfarë bese kërkon më?
Unë këtu kam denoncuar, kam nxjerrë publikisht këtë dokument. Është zyrtar i QSUT-së, i cili, pra, ka publikuar nevojat e spitalit për pajisje të cilat janë jetëshpëtuese dhe shumë të rëndësishme.
Pra, këtu bëhet fjalë për respirator, për laringoskop, për defibrilator, brakiterapi e të tjera e të tjera. Pra, janë gjëra të cilat janë jetëshpëtuese, dhe këtu thuhet që QSUT-ja dëshiron të kërkojë vëmendjen e publikut lidhur me mundësinë për të kontribuar në përmirësimin e shërbimit dhe ofrimin e ndihmës në rritjen e cilësisë e të tjera. Pra, QSUT-ja, spitali më i madh, ka nevojë për këto pajisje.
Pra, dhe në kulmin e gjithë kësaj gjëje, kryeministri Rama zgjedh që 4 miliardë lekë nga paratë e shqiptarëve t'i investojë në një koncert.
Çfarë ndodhi pas atij koncerti dhe çfarë do të ndodhte në qoftë se një qeveri e përgjegjshme, e cila do t'u jepte besën qytetarëve shqiptarë, do të siguronte këto pajisje?
Se shkon në spital, tek reanimacioni qendror, ke vetëm 30 vende. Duhet të vdesë një që të hyjë tjetri që është në pritje, ose do të vdesë ky që është në pritje, se nuk hyn dot.
Nuk ka 30 vende ka një Shqipëri e tërë, 2 milionë njerëz kanë vetëm 30 vende reanimacioni qendror. Pra, kjo është besa e një kryeministri për t'u pra, për t'ua lehtësuar jetën shqiptarëve." u shpreh gazetari Osman Stafa.
