Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe i plagosur shoku i tij Luis Meçja vazhdon të mbetet e pa zbardhur, ndërsa detajet e reja çdo ditë po trondisin.
Pas deklaratës së Luisit dhe babait të tij, se autorët e vrasjes ishin dy, Mario Përlleshaj dhe Kledion Bejkaj, kronologjia e ngjarjes tronditëse ndryshon plotësisht, si dhe dyshimet se përse emri i të miturit Kledion nuk shfaqet në asnjë deklaratë të policisë?
Por edhe Komisioni i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po has probleme nga ana e palëve të autorit Mario Përlleshaj.
Komisioni i Burgjeve ka vendosur që të vejë në dijeni policinë e Tiranës për mosbindje nga ana e mjekut të spitalit privat ku po mjekohet autori i dyshuar i vrasjes së Martin Canit, pasi nuk dorëzon epikrizën për 14-vjeçarin.
Grupi i përfaqësuesve nga burgjet ka qenë dhe dje (25 nentor) por mjeku privat, Dritan Todhe i ka zvarritur ekspertët dhe nuk ua ka dorëzuar epikrizën e 14-vjecarit që mbahet nën masë arrest me burg.
Kjo nuk është hera e parë që grupi i përbërë nga pesë persona, i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, kanë shkuar në spitalin privat ku mbahet i mituri Mario Përlleshaj.
Duke mosdorëzuar epikrizën për gjendjen shendetesore pengohet transferimi i tij në ambientet e paraburgimit. Në varësi të gjendjes së tij shëndetësore, ai mund të marrë trajtimin e nevojshëm në paraburgim.
Komisioni i burgjeve duhet të tërheqë epikrizën dhe të vendosë gjendjen autorit nëse duhet dërguar apo jo në institut të të miturve në Kavajë.

