
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Një shembull frymëzimi dhe një udhëheqës i veçantë shipirtëror, kështu e ka cilësuar Meta Kryepeshkopin Janullatos, një figurë e shquar fetare që ringriti nga rrënojat besimin në Shqipëri.
“Kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë,” shkruan Meta ndër të tjera në rrjete sociale.
Postimi i Ilir Metës:
Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!
Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar!
Të prehet në paqen e merituar!
Kryepeshkopi Anastas Janullatos është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare. Ai luftoi prej ditësh me vdekjen i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë, por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, Anastas Janullatos u largua përgjithmonë nga kjo botë duke lënë pas një trashëgimi të pasur fetare.
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua që në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe më pas u dërgua për kurim të specializuar në Athinë në datën 3 janar. Që prej asaj kohë gjendja e Janullatos sa vinte dhe përkeqësohej.