Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shqipëria në zi për Fatos Nanon, sot i jepet lamtumira liderit që ndryshoi historinë! Flamujt ulen në gjysmë shtizë

Shkruar nga Newsbomb
Shqipëria në zi për Fatos Nanon, sot i jepet lamtumira liderit
Fatos Nano

Zemra e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, rrahu për herë të fundit pasditen e së premtes, 31 tetor. Lideri historik i së majtës shqiptare ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare, pas një periudhe të gjatë problemesh shëndetësore me aparatin respirator. Prej 22 ditësh, ai ishte shtruar në terapi intensive në një spital privat të Tiranës, por përpjekjet e mjekëve nuk arritën ta shpëtonin.

Në nderim të figurës së tij, Këshilli i Ministrave shpalli ditën e sotme, 2 nëntorin ditë zie kombëtare në Shqipëri. Edhe Kosova po ashtu vendosi të respektojë figurën e liderit të së majtëve.  Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore e publike do të ulen në gjysmë shtize, ndërsa në orën 12:00 të ditës së sotme do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin. Radiotelevizioni Publik Shqiptar do të transmetojë muzikë funebre gjatë gjithë zhvillimit të ceremonisë shtetërore.

Ceremonia shtetërore në Pallatin e Kongreseve:

Homazhet publike dhe shtetërore do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, ku do të vendoset trupi i ish-kryeministrit që prej orës 08:30 të mëngjesit të sotëm:

08:30 – 11:00: Homazhe publike

11:15 – 11:45: Homazhe shtetërore dhe nderime nga personalitetet e larta

12:05: Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës

Në orët e para të mëngjesit pritet të jetë e pranishme edhe ish-bashkëshortja e tij, Rexhina Nano, e cila do të bëjë homazhet e saj në momentin e vendosjes së trupit në holl, por nuk do të qëndrojë gjatë në ceremoni.

Në pjesën zyrtare të ceremonisë do të marrin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, personalitete të jetës politike e publike, dhe drejtues të institucioneve më të larta të shtetit.

Pritet pjesëmarrje e gjerë nga anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste, ndërsa disa degë të PS-së nga rrethet janë organizuar me autobusë për të udhëtuar drejt Tiranës. Nga opozita, Partia Demokratike do të përfaqësohet nga Flamur Noka.

Në përfundim të ceremonisë, do të mbajnë fjalë Kryeministri Edi Rama, si pasues i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste s dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit, Xhoana Nano.

Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit në një ceremoni private familjare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese