Hapësire reklamuese

Aktualitet

Riaktivizimi i dosjes "Toyota Yaris" nga SPAK dhe akuzat e Bashës për Taulant Ballën si "pritës i 3.4 milionë eurove të drogës"

Shkruar nga Newsbomb
Riaktivizimi i dosjes "Toyota Yaris" nga SPAK dhe akuzat e Bashës
Makinat e importuara nga Belgjika dhe 3.4 milione eurot qe u gjeten ne to

Dosja e shumëpërfolur "Toyota Yaris" që u hap gjashtë vite më parë nga Prokuroria për Krimet e Rënda, për trafikimin e 3.4 milionë eurove cash, është riaktivizuar përsëri nga SPAK. Hetimet në vitin 2018 nisën me bujë dhe akuza zyrtare ishte "Grup kriminal", por u mbyllën shpejt vetëm për një vepër penale banale si "Mosdeklarim i të hollave në kufi".

Newsbomb.al mëson se nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin sekret "SKY ECC", prokurorët e posaçëm kanë siguruar prova të mjaftueshme në lidhje me veprimet ligjore që janë ndërmarrë deri në mbylljen e dosjes.

Kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, hetuesja e BKH-së Elona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe biznesmeni Astrit Vladi janë të arrestuarit e parë, ndërsa siç bëjnë me dije burimet, operacioni vijon dhe në rrjetën e SPAK pritet të bien edhe magjistratë e avokatë të tjerë.

Sekuestrimi i 3.4 milionë eurove në dy makina të importuar nga Belgjika në Portin e Durrësit, në Qershor 2028, u kthye në një çështje të bujshme që vazhdoi të ngjallte interes për muaj me radhë; së pari sepse ajo ishte shuma më e madhe e parave cash e sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri dhe së dyti, pati akuza të forta politike.

Madje, interesant ishte fakti se në Tiranë lajmi për mbërritjen e parave në Portin e Durrësit kishte ardhur më herët se makinat e nisura nga Belgjika dhe ku ishin fshehur paratë.

Paratë u gjetën mëngjesin e 24 Qershorit 2018 dhe ishin saktësisht të ndara në 3.336.700 euro dhe 80 mijë franga zvicerane, të fshehura në tapiceritë e dyerve anësore të dy makinave të importuara nga Belgjika. Karroatreci kishte të ngarkuara shtatë makina dhe paratë ishin të fshehura në dy prej tyre.

Riaktivizimi i dosjes "Toyota Yaris" nga SPAK dhe akuzat e Bashës
Makinat qe mberriten ne Durres dhe ku ishin fshehur parate

Tre ditë para se makinat të mbërrinin në Shqipëri dhe paratë të sekuestroheshin në Durrës, më 21 Qershor 2028, kryedemokrati Lulzim Basha doli në foltoren e Parlamentit dhe paralajmëroi se drejt Shqipërisë ishin nisur thasë me para droge. Sipas tij, paratë ishin fshehur në disa makina "Toyota Yaris" dhe garant për ardhjen e tyre në Shqipëri kishte dalë Taulant Balla.

Ky i fundit, në atë kohë ishte kreu i grupit parlamentar të PS dhe për shkak të akuzave të vazhdueshme politike, pas zbulimit të parave, cilësohej nga kundërshtarët me nofkën "Taulant Bego Yaris". Politikani i lartë socialist i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.

Dosja mori emrin "Toyota Yaris" për shkak të denoncimit të hershëm të Lulzim Bashës, por makinat e përdorura që u importuan nga Belgjika dhe ku ishin fshehur paratë ishin të markës “Toyota Auris”.

Riaktivizimi i dosjes "Toyota Yaris" nga SPAK dhe akuzat e Bashës
3.4 milione eurot qe u gjeten ne dy nga makinat e importuara

Nën drejtimin e prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Ened Nakuçi, Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë e regjistroi procedimin penal në korrik 2018. Hetimi u shtri më pas edhe në Belgjikë dhe Gjermani, shtete të cilat sollën një mal me dokumente në Shqipëri përmes letër-porosive.

Në fund, për shkak të manovrave gjyqësore pesë të pandehurit që u akuzuan fillimisht për "Grup të strukturuar kriminal", u akuzuan vetëm për "Mosdeklarim të të hollave në kufi". Ervis Vladi, i akuzuari kryesor dhe i cilësuar si "koka" e trafikut të parave nuk u arrestua asnjëherë.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese