Revista Newsbomb.al vjen me numrin e pesëdhjetë e nëntë, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Ja disa nga artikujt që do të lexoni:
Vajzat e humbura- Nga bullizmi, rrjetet sociale dhe institucionet që nuk i dëgjuan. Historia e plotë e videos që tronditi Shqipërinë ku rrahja e 17 vjeçares nga tre vajza të tjera nxorri në pah problemet e thella të shoqërisë. Një rrjet “ekskortash” për shantazh, vajza me tatuazhe që lënë shkollën dhe përdorin njëra – tjetrën, e familje të varfra në ekstrem. Njerëz që nuk dëgjojnë e nuk raportojnë, sidomos në shtet! Një rrugëtim mbi historinë që nisi shumë kohë para videos virale
Lufta me Bulevardin- Lëvizja që nisi të dielën e fundit të Majit i zuri të gjithë në befasi. Qeveria ka ndjerë efektet e tërmetit të protestës dhe po përpiqet të mbijetojë. Por Opozita ka marrë goditje fatale dhe do ta ketë shumë të vështirë tanimë të gjejë formën e mënyrën se si do të paraqitet nesër para qytetarëve. Marshimi i të rinjve e të rejave në Bulevard ka lënë në hije jo vetëm PD po dhe formacionet e tjera të vogla që luftojnë me Edi Ramën. Si u përmbys e gjithë skena politike 35 vjeçare në 50 ditë dhe çfarë pritet të ndodhë në vijim. Një raport i plotë nga revista Newsbomb.
“ALBANIAN FILES”: 4 çështjet e debatueshme- Kaotizmin e Shqipërisë e përshkruan më së miri Tirana. Në qytetin që shitet si kozmopolit dhe një qendër e arkitekturës ndërkombëtare, ku janë thyer barrierat e ndasive fetare dhe që qëndron mikpritës ndaj të huajve, shkelen më të dyja këmbët të drejtat e qytetarëve lokalë.
Qytetit i mungon furnizimi i përhershëm me ujë, ujrat e zeza rrjedhin në lumin që kalon mespërmes tij, pemët zëvendësohen nga betoni me ritëm më të lartë se numri i banorëve, asnjë projekt ndërtimi nuk konsultohet me ta dhe autoritetet që japin leje, mbivendosin kate mbi rregullat që kanë miratuar vetë.
Librazhdi, qyteti që nuk njihni, me bujtina dhe aventura që ju lënë pa mend- Për më shumë se njëmbëdhjetë vjet, rruga që lidh Tiranën me Bilishtin është bërë pjesë e jetës sime. Kam udhëtuar aq shpesh, sa ka momente kur më duket sikur çdo kthesë, çdo urë dhe çdo segment i saj më janë bërë të njohura. Mali që në disa vende afrohet aq pranë asfaltit sa të krijon përshtypjen se është shoqëruesi jot gjatë gjithë rrugës, lumi Shkumbin që herë shfaqet pranë makinës e herë humbet mes pemëve, tuneli, fshatrat dhe qytetet që kalojnë njëri pas tjetrit janë bërë pjesë e një intinerari të zakonshëm, të cilin e kam përshkruar pa e menduar gjatë. Mes gjithë këtyre ndalesave të vogla që i shihja vetëm nga dritarja e makinës, ishte edhe Librazhdi.
Mariglen Disha, njeriu pas vizionit të ri për Librazhdin!- Çdo qytet ka nevojë për njerëz që besojnë tek ai, edhe kur të tjerët e shohin vetëm si një pikë në hartë. Librazhdi duket se e ka gjetur këtë besim tek brezi i ri i drejtuesve, të cilët kanë zgjedhur ta shohin turizmin jo si një mundësi kalimtare, por si motorin e zhvillimit ekonomik dhe social të kësaj treve. E ky është Mariglen Disha, kryebashkiaku energjik dhe punëtor, që mori drejtimin e Bashkisë së Librazhdit me premtimin për ta kthyer qytetin në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm të turizmit shqiptar, duke investuar njëkohësisht në infrastrukturë, hapësira publike, promovimin e natyrës dhe mbështetjen e biznesit lokal.
Plagët që nuk mbyllen kurrë!- Dëshmia e jashtëzakonshme e Fadil Nuriut, 90 vjeçarit që I mbijetoi masakrave të Paramythisë në Çamëri, humbi familjen në verën e 1944 dhe rindërtoi jetën përmes punës, dinjitetit dhe shpresës.
Fadil Nuriu ishte aso kohe 8 vjeç. Sot, 82 vjet më vonë, ai numëron 90 vite mbi shpinë, por nuk e harron ditën kur pasi vranë burrat e Paramithisë kërkonin një shtëpi ku të qëndronin ai 8 vjeç, vëllai 6 vjeç, nëna lehonë 28 vjeç dhe vajza e vogël, motra e tij gjashtë muajshe. Atë mbrëmje, dy ditë pasi kishin pushkatuar burrat e Paramithisë, Fadil Nuriut i djegin të ëmën.
Koço Kota, historia e një kryeministri pa varr- Ai ka ndërtuar Tiranën, i takon që një rrugë të marri emrin e tij. Ai është pjesë e një historie të gjatë në shtetin shqiptar që prej 1912-s, por pa një varr ku të ndalesh, një pllakë mermeri ku është gdhendur emri i tij, një vend ku familjarët të përkulen në heshtje. I torturuar dhe i lënë në mëshirë të fatit, ai mbylli sytë në qelitë e Burgut të Burrelit ndërsa rrëgjimi nuk u mjaftua vetëm me dënimin e tij por e dënoi dhe kujtesën. Kjo është historia e Koço Kota-s, dy herë kryeministër i Shqipërisë në vitet ‘20-’30 treguar për revistën NewsBomb nga nipi i tij Harallamb Kota.
Gëzim Myshketa: “Sempre Avanti”! Çdo mbrëmje fillon nga zero!- Gëzim Myshketa është një nga zërat shqiptarë që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në skenat më të rëndësishme të operës ndërkombëtare. Nga studimet në një prej qendrave simbol të operës italiane, te debutimet në teatro prestigjioze dhe angazhimi për të krijuar ura të reja për artistët e rinj përmes DOA, rrugëtimi i tij është një histori pune, përkushtimi dhe dashurie për artin. Në këtë intervistë, Gëzim Myshketa flet për sfidat e një karriere ndërkombëtare, sakrificat që nuk shihen nga publiku, pjekurinë artistike, rolet që e kanë sfiduar më shumë, por edhe për njeriun përtej skenës. Një rrëfim për suksesin pa zhurmë, për përulësinë që mëson skena dhe për besimin se, pavarësisht vështirësive, rruga vazhdon gjithmonë. sepse siç pohon vet ai nëse jeta e tij do të ishte një opera, do të titullohej “Sempre Avanti”, për të vijuar pas çdo rrëzimi.
DY PËR HISTORINË- Pas 104 ndeshjesh, Botërori 2026 mbërriti në finalen që shumë, por edhe pak e kishin parashikuar. Megjithatë historia e këtij turneu nuk shkruhet vetëm nga dy finalistët. Rekordet, statistikat dhe risitë treguan se Kupa e Botës ndryshoi shumë më tepër sesa emrin e kampiones. Çfarë e bën këtë edicion kaq ndryshe nga të gjithë të tjerët?
Stili i nxehtë, që flet vetë- Vera është stina kur moda shkëlqen më shumë se kurrë, duke sjellë kombinime që ndërthurin elegancën, freskinë dhe guximin. Këtë sezon, vëmendja përqendrohet te prerjet moderne, teksturat me shkëlqim dhe ngjyrat që reflektojnë energjinë e ditëve me diell. Çdo veshje shndërrohet në një mënyrë për të shprehur personalitetin, ndërsa aksesorët marrin rolin kryesor në kompletimin e çdo paraqitjeje. Tendencat e momentit dëshmojnë se komoditeti dhe stili mund të ecin krah për krah, pa bërë asnjë kompromis. Nga eleganca minimaliste deri te detajet që bien menjëherë në sy, moda e këtij sezoni fton të eksperimentoni dhe të krijoni kombinime që pasqyrojnë karakterin tuaj. Sepse stili i vërtetë nuk ndjek rregulla, por krijon identitet.
Artikujt e plotë mund t'i lexoni në numrin e 59-të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Korrik dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
