
Institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri i janë nënshtruar dje procesit të votimit dhe zgjedhjes së drejtuesve të rinj e stafeve akademike. Në të gjithë universitetet u ngritën Komisionet e Qendrave të Votimit, ndërsa udhëzimet ishin të afishuara pranë fakulteteve përkatëse, bashkë me publikimin e kandidatëve në garë.
Pesha e votës së studentëve në përzgjedhjen e autoriteteve drejtuese në universitete, krahasuar me pedagogët, llogaritet në masën 10% të totalit të votave. Ligji “Për arsimin e lartë” lejon që rektorët, dekanët apo drejtuesit e departamenteve të shërbejnë vetëm në dy mandate.

Universiteti i Tiranës me 6 fakultete ju nënshtrua këtij procesi dhe kandidat për rektor ishte vetëm Artan Hoxha, i cili në kushtet kur nuk kishte një kandidat tjetër përballë, arriti të zgjidhet dhe për një mandat të dytë, shkruan newsbomb.al
Prof. Dr. Artan Hoxha është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1983. Karrierën profesionale e ka nisur si prokuror në Lushnjë dhe më pas është emëruar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Në periudhën 1999 - 2008 ka qenë Gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, në godinën pak metra më tej, në Universitetin e Arteve u zhvillua garë mes kanidatëve Artan Peqini dhe Erald Bakalli, me këtë të fundit që arriti të siguronte shumicën e votave dhe të merrte postin e rim, si Rektor.
Erald Bakalli mban gradën “Doktor i Shkencave” me temën “Tradicionalja në zhvillimin e Skenografisë Shqiptare” dhe ka fituar dhe titullin e lartë “Profesor i Asociuar”. Është autor i disa botimeve dhe prej vitesh Zëvendës rektor i anës mësimore në Universitetin e Arteve.

Në Universitetin e Mjekësisë, ka kandiduar Dekani aktual Xheladin Draçini, i cili arriti të siguronte shumicën e votave të studentëve dhe kolegëve të tij, duke u zgjedhur Rektor, shkruan newsbomb.al. Ai vjen në këtë post pas dy mandatesh si Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Xheladin Draçini punon si pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Kirurgjisë, Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme Nr. 1 të Fakultetit të Mjekësisë dhe është mjek kirurg primar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza“, Tiranë.

Ndërkohë, në Universitetin Politeknik kandidoi i vetëm zëvendës rektori aktual Akli Fundo, i cili rrjedhimisht mori dhe detyrën e Rektorit. Ai është matematicien, pedagog i Matematikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe mbajtës me i gradave shkencore e titujve akademikë.
Në Universitetin Bujqësor do të shërbejë edhe 4 vite të tjera Rektori aktual Fatbardh Sallaku. Ai është pedagog pranë Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit që prej vitit 1990.

Në periudhën 2016-2020 ai ka shërbyer si Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit dhe menjëherë pas përfundimit të kësaj detyre, u zgjodh Rektor i Universitetit Bujqësor, shkruan newsbomb.al. Pas një mandati, Fatbardh Sallaku nuk kishte kandidat tjetër përballë dhe u rizgjodh.
E njëjta situatë edhe në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Rektori Agron Kasa nuk ka pasur rival përballë dhe në këto kushte ka fituar një mandat të dytë katër vjeçar. Ai e ka marrë drejtimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në vitin 2020 dhe do ta drejtojë deri në 2028, sipas ligjit.

Agron Kasa ka mbaruar studimet në Edukim Fizik dhe Shkenca Sportive dhe është “Doktor i Shkencave” në Aktivitetin Fizik, si dhe mban titullin “Profesor” nga viti 2015. Lektor i Teorisë dhe Metodologjisë së Stërvitjes Sportive që prej vitit 1987 e në vijim.
Zgjedhjet janë mbajtur dje dhe në Universitetin e Shkodrës, ku Rektor është zgjedhur Tonin Gjuraj. Procesi këtu është shoqëruar me debate dhe pakënaqësi që në shpalljen e kandidaturave dhe më pas dhe në procesin e votimit. Për pozicionin e Rektorit garuan Tonin Gjuraj, Rajmonda Këçira dhe Nertila Ljarja.

Tonin Gjuraj ka disa vite që përvojë në mësimdhënie në nivel universitar, përvojë pune për agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare në çështjet fetare dhe demokracinë, studimet e shoqërisë civile dhe gjakmarrjes, si dhe kërkime në terren. Ai ka shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit (2007 – 2009) dhe tani është anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Garë pati dhe në Universitetin e Korçës, shkruan newsbomb.al. Atje garuan për postin e Rektorit Irena Nikaj, Lorenc Ekonomi dhe Robert Damo. Në fund të procesit, shumicën e votave e kishte marrë Lorenc Ekonomi, i cili u shpall dhe Rektor i ri i Universitetit "Fan Noli".

Ai mban gradën "Doktor i Shkencave" si dhe ka marrë titullin “Profesori i Asociuar” prej vitit 2011, me vendim nga Këshilli i Profesorëve të Universitetit të Korçës. Katër vite më pas, në 2015, Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë i ka dhënë titullin "Profesor".
Në Universitetin e Vlorës, Rektore është zgjedhur Aurela Saliaj. Ajo mbante postin e Dekanes së Fakultetit të Shëndetit Publik dhe ishte në garë me kolegët Evelina Bazini e Kreshnik Bello, ndaj të cilëve ka fituar me një rezultat të ngushtë.

Ajo ka kryer studimet për "Mjekësi të përgjithshme" dhe më pas është specializuar për "Pediatri", fushë në të cilën ka fituar dhe gradën "Doktore shkencash". Ka shërbyer në spitalet publike të vendit dhe prej vitit 2011 është angazhuar dhe në mësimdhënie.
Dekani i Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës, Shkëlqim Fortuzi ka arritur të grumbullojë shumicën e votave dhe është zgjedhur Rektor i këtij institucioni të arsimit të lartë. Ai garoi përballë kolegëve Andon Kume, Osman Metalla dhe Lindita Mukli.

Shkëlqim Fortuzi që nga viti 2013 është Profesor Doktor pranë Departamentit Financë Kontabilitetit dhe që prej vitit 2020 është Dekan i Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Kërkimet e tij janë në fushën e Kontabilitetit të Kostos, Kontabilitetit Menaxherial dhe Fiskalitetit.
Në Universitetin e Elbasanit "Aleksandër Xhuvani" kandidonte e vetme Elvira Fetahu, shkruan newsbomb.al. Në kushtet kur nuk kishte kandidat tjetër përballë ajo arriti të merrte postin e ri, ndërsa Rektori aktual Skënder Topi nuk mund të rikandidonte sepse ka shërbyer për dy mandate, sipas ligjit.

Elvira Fetahu është prej shumë vitesh pedagoge e Lëndëve të Grupit të Marketingut. Ajo mban gradën "Doktore e shkencave" dhe titullin "Profesore e Asociuar". Deri dje kur u zgjoedh nga studentët dhe kolegët Rektore e Universitetit të Elbasanit, ajo mbante postin e Zëvendës rektores.
Një kandidat i vetëm në garë, nëse mund ta quajmë të tillë, ishte dhe në Gjirokastër. Jaho Canaj ka marrë 96 vota pro dhe 3 kundër dhe është zgjedhur Rektor i Universitetit "Eqerem Çabej", duke pasuar në këtë detyrë Bektash Memën.

Jaho Cana ka përfunduar studimet e larta në programin Histori Gjeografi në vitin 1987 në Universitetin “Eqrem Çabej” dhe më pas vijoi karrierën akademike me kualifikime të ndryshme. Në vitin 2022 fitoi titullin akademik “Profesor”.
© Newsbomb.al