Policia Kufitare e Vlorës ka ndaluar së fundmi dy të rinj të cilët bënin manovra të rrezikshme në plazhin e Semanit dhe në afërsi të Zvërnecit, duke u rrezikuar jetën pushuesve.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga videot e publikuara të cilat kanë bërë xhiron e rrjetit, Policia ka ndaluar drejtuesit e mjeteve, të cilët thuhet se janë gjobitur me nga 5 milion lekë gjobë.
Ndërsa mjetet lundruese janë sekuestruar, pasi nga hetimet e bëra u mësua se drejtuesit nuk dispononin dokumentacionet përkatëse për mjetet lundruese.
Njoftimi i Policisë:
Rrezikuan pushuesit duke lëvizur me mjete lundruese në afërsi të bregut. Policia Kufitare e Vlorës i ndëshkon me gjoba prej 500.000 dhe 510.000 lekë të rinj, si dhe u bllokon mjetet lundruese.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe DVP Fier, kanë evidentuar drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili kishte lundruar në afërsi të bregut, në plazhin e Semanit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve, rast i publikuar edhe në portalin JOQ.
Drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. D., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe me bllokimin administrativ të mjetit lundrues.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në sektor, në afërsi të Zvërnecit, në zonën e "Plazhit të Hidrovorit", konstatuan një mjet lundrues tip gomone, që lëvizte në mënyrë të paligjshme brenda perimetrit të sigurisë, pranë pushuesve.
Mjeti drejtohej nga shtetasi J. H. Nga verifikimet rezultoi se ai nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos masë administrative në vlerën 510.000 lekë të rinj, si dhe u bllokua administrativisht mjeti lundrues.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to, të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke theksuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkelësi, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve.
